E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Jeta e të tjerëve"

„Më pëlqen ndjeshmëria e filmit „Jeta e tw tjerwve", afërsia e personazheve shkrimtarë, aktorë e regjisorë me veten tonë para vitit 1990. Ose ndoshta edhe ngushëlloj veten, duke thënë se mund të kemi qenë edhe kështu... Paralelet me Shqipërinë natyrisht janë të shumta. Sepse edhe këtu jetohej nën pezhishkat e Sigurimit dhe komiteteve të Partisë... Ndryshimi me Shqipërinë ishte në pësimin, në masat drakoniane që merreshin kundër disidentëve, ose më saktë disidentëve në embrion..."

„Shkrimtarët gjermanë që u bënë vërtet popullorë në Shqipëri ishin ata që u përkthyen nga Robert Schwartzi: Remarque, S. Zweig, Feuchtwanger. Të tjerët ose janë përkthyer dobët, ose nuk janë vënë re fare. Kemi pra një vakuum që kushtëzohet edhe nga indiferenca në rritje për librin në përgjithësi"

- Çfarë elementi të veçantë, tipik, sjell filmi gjerman për spektatorin shqiptar?

Filmi gjerman ka qenë tepër i larmishëm në dy dhjetëvjeçarët e fundit, ndaj e kam të vështirë të përmbledh karakteristikën kryesore në pak fjalë. Në tërësi mund të thuhet se është trajtuar shumë mirë dhe fort tema e "ndeshjes së kulturave", sidomos nga regjisorë gjermano-turq; është trajtuar shumë mirë e thellë tema e së shkuarës në ish-RDGj dhe ajo e bashkimit të të dy Gjermanive, sikurse me filmat "Good-bye Lenin!" dhe "Jeta e të tjerëve"; është trajtuar fort tema e një totalitarizmi në embrion, sikurse e bën filmi i ri "Dallga"; nuk janë të paktë filmat me një ironi të hollë e humor shpërthyes që vënë në lojë gjermanin modern dhe elitat e sotme spekulative. Siç e shihni nga ky vështrim i shpejtë, mund të flitet për një lulëzim të ri të kinematografisë gjermane, pas klasikëve modernë të viteve ‘60-‘70 Fassbinder, Herzog, Wenders, Schloendorf, von Trotta. Këtë e dëshmojnë edhe shifrat në ngjitje të spektatorëve të kinemasë në vitet e fundit.

- Si janë alternuar temat që trajtohen në filmat gjermanë që do të shfaqen në Tiranë? Mbi ç‘kritere, tek e fundit, është bërë zgjedhja?

Ne vendosëm si temë qendrore: aktori i madh gjerman Goetz George në 70-vjetorin e lindjes dhe kjo kushtëzoi zgjedhjen. Pra do të kemi tre filma me role kryesore nga ky aktor: "Rossini" dhe "Schtonk", dy filma gjysmë-farsë, me satirë therëse ndaj elitave që përmenda, dhe "Vrasësin", film i hollë psikologjik që trajton historinë e vërtetë të një vrasësi të shumëfishtë në vitet ‘20, luajtur dhe ky nga George. Veç kësaj, donim të pasqyronim disi edhe filmin aktual gjerman (duke qenë se tre të mësipërmit u takojnë viteve ‘80-‘90), ndaj zgjodhëm pikësëpari filmin më të suksesshëm të vitit 2007 "Në anën tjetër", me regjisor Fatih Akin, i cili ka marrë nga Akademia gjermane e Filmit çmimin e parë për regji, për skenar, për aktoren e famshme Hanna Schygulla etj.; ky film, sikurse edhe "Pas murit", i po këtij regjisori, tregon konfliktet dhe dramat që krijon përplasja e psikologjive dhe kulturave të ndryshme, sikurse ndodh jo vetëm me brezin e vjetër, por edhe atë të dytë a të tretë të emigrantëve në Gjermani. Veç kësaj, do të kemi një dramë-komedi bavareze në dialekt "Kush vdes më herët, është më gjatë i vdekur", me një fëmijë jashtëzakonisht simpatik në qendër, një film gjysmë dokumentar që trajton jetën e përditshme të disa vajzave të reja në Berlinin multikulturor "Pishina e Princeshave", si dhe "Jeta e të tjerëve" sërish, me rastin e vizitës dhe diskutimit të Marianne Birthler.

- Le të qëndrojmë pak më gjatë te njëri prej filmave: "Jeta e të tjerëve"… Në qendër të tij është përgjimi i intelektualeve artistë… Çfarë mund të thoni në mënyrë më të zgjeruar rreth këtij filmi dhe, a ka vend në këtë film për të hequr paralele me Shqipërinë?

Dëgjoj komente të ndryshme për këtë film. Shumica e spektatorëve tanë natyrisht e ka pëlqyer. Ka disa të tjerë që e quajnë pak si kitsch dhe deri-diku të pabesueshëm evolucionin që bën personazhi kryesor, nga një oficer i pamëshirshëm i Stasit, në një mbrojtës të intelektualëve disidentë. Por duhet të them se filmi më pëlqen. Më pëlqen ndjeshmëria e tij, afërsia e personazheve shkrimtarë, aktorë e regjisorë me veten tonë para vitit 1990. Ose ndoshta edhe ngushëlloj veten, duke thënë se mund të kemi qenë edhe kështu... Paralelet me Shqipërinë natyrisht janë të shumta. Sepse edhe këtu jetohej nën pezhishkat e Sigurimit dhe komiteteve të Partisë. Njohim madje personalisht edhe familje që e kanë pësuar pse x-grua ishte e hijshme dhe lakmohej nga një zyrtar i lartë, dramat dhe tragjeditë që ndodhnin kur dikujt nga nomenklatura i hipte në kokë për një femër që s‘ishte me shpatulla të mbrojtura. Ndryshimi me Shqipërinë ishte në pësimin, në masat drakoniane që merreshin kundër disidentëve, ose më saktë disidentëve në embrion. As që mund të përfytyrohet p.sh. një komunikim i tillë aq i lirshëm saç e kanë në film shkrimtarët e Gjermanisë Lindore me revista të tilla të mëdha perëndimore si "Der Spiegel". Izolimi i Shqipërisë në këtë drejtim ishte i përsosur dhe pa të çara. Por kjo prapëseprapë nuk na pengon t‘i ndjejmë shumë të afërt personazhet e atij filmi.

- Ndërkaq do të jetë një nga filmat që shoqërohet me praninë në Tiranë të politikanes gjermane, drejtuesen që merret me vlerësimin e dokumenteve të ish-Sigurimit shtetëror të RDGJ, Marianne Birthler? Ǒnënkupton prania e saj? A bëhet fjalë për prezantimin e një përvoje që, pse jo, mund të aplikohet në Shqipëri?

Natyrisht ardhja e saj mund të kuptohet edhe si sinjal për trajtimin e cungët, për të mos thënë të keq, të së kaluarës diktatoriale te ne. Shqipëria ka nevojë për një diskutim të tillë të hapur, që të mos mbeten më e kaluara dhe dosjet pronë e politikanëve mashtrimtarë. E keni parasysh skenën në fund të filmit, kur shkrimtari shkon, pas shembjes së regjimit, të marrë e të studiojë dosjen e tij në institucionin përkatës që i ruan ato? E papërfytyrueshme te ne. Te ne, dosjet janë bërë pronë e një grushti njerëzish që i përdorin ato si armë shantazhi kundër personave ose grupeve të caktuara të shoqërisë, me to bëhet gjueti shtrigash dhe politikë personale. Natyrisht që e keqja vjen nga koka, sepse edhe gazetat që botojnë "fragmente dosjesh" janë ato më të afërtat me qeverinë. Zgjidhja është vetëm një: të hapen dosjet, të jenë të shfletueshme për çdo qytetar, si në skenën që përmenda te "Jeta e të tjerëve". Po të arrijë një stad të tillë emancipimi politika jonë, natyrisht që nuk do të vijë më për diskutime publike një person si Marianne Birthler.

- Përtej filmave, "Tetori gjerman" prezanton një antologji të letërsisë gjermane… tregimtarët: Dy fjalë mbi zgjedhjen dhe vendin që zënë autorët e pranishëm në antologji, në letrat gjermane dhe më gjerë?

Kemi përpara një antologji të prozës gjermane në periudhën më të lartë të saj. Janë vitet nga 1900-1945. Është periudha e fundit të Rajhut të dytë, e Luftës së Parë Botërore, e Republikës së Weimarit, me një lulëzim të pazakontë kulturor dhe lindjen e rrymave të reja në art e letërsi, e marrjes së pushtetit nga nazistët dhe letërsisë së emigracionit. Gjysma e parë e shekullit 20 është epoka e Thomas dhe Heinrich Mannit, Franz Kafkas dhe Alfred Doeblinit, Robert Musilit dhe Herman Brochut, Joseph Rothit, Hermann Hesses, Gottfried Bennit, Bertolt Brechtit, por edhe e shkrimtarëve si Remarque ose S. Zweig të njohur ndërkaq për publikun shqiptar. Shqipërimet janë nga origjinali dhe të një niveli të lartë, antologjia kap mbi 500 faqe. Veç një sërë tregimesh, në të cilat s‘mund të ndalem këtu, janë përfshirë romane në embrion ose novela si "Ligji" i Th. Mannit, që ritregon historinë e Moisiut, i cili i priu popullit të tij izraelit drejt Tokës së Premtuar; "Metamorfoza" e famshme e Kafkas, këtë herë nën titullin më të saktë "Shndërrimi", "Historia e pijetarit të shenjtë" nga Joseph Roth, "Togeri Gustl" nga Arthur Schnitzler etj., etj. Me këtë antologji që i pranëvihet antologjisë së vjetshme "Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-s", proza e shekullit 20 në këtë gjuhë i jepet publikut shqiptar e plotë si nga asnjë gjuhë tjetër. Veç përkthyesve të mirënjohur si Afrim Koçi etj., mund të themi se kjo përmbledhje sjell një zbulim të ri, shqipëruesin e ri të talentuar Edvin Cami, që ka përballuar shkrimtarë të tillë të ndërlikuar si J. Roth, K. Valentin, S. Freud etj.

- A mund të bëni një koment rreth marrëdhënies së lexuesit shqiptar dhe autorëve gjermanë?

E kam të vështirë komentin; shkrimtarët gjermanë që u bënë vërtet popullorë në Shqipëri ishin ata që u përkthyen nga Robert Schwartzi: Remarque, S. Zweig, Feuchtwanger. Të tjerët ose janë përkthyer dobët, ose nuk janë vënë re fare. Kemi pra një vakum që kushtëzohet edhe nga indiferenca në rritje për librin në përgjithësi. Shpresojmë që projekte të tilla ta afrojnë përsëri lexuesin tonë me këtë letërsi të madhe.

- Dhe shkurt komenti juaj lidhur me autorë gjermanë, udhëpërshkrues, të cilët kanë pasur si objekt të librave të tyre Shqipërinë? Cili ka qenë këndvështrimi i tyre? Sa rezultojnë të përputhshme apo ku dallojnë këndvështrimet mes tyre, por edhe me realitetin?

Për çudi, i pari që hyri në këtë fushë ishte një autor, i cili kurrë nuk pati shkelur në Shqipëri, megjithatë arriti të shkruajë një roman, të cilin e lexuan thuajse gjithë gjermanët deri në brezin e viteve ‘60: Karl May me veprën e tij "Në vendin e Skipetarve". Kjo vepër fantazioze ngjalli kureshtjen e një numri udhëtarësh në dekadat e para të shekullit të kaluar; u shkruan përsëri reportazhe ose romane që e paraqisnin vendin tonë si gjysmë të egër, shumë të përshtatshëm për aventura, me mikpritje e ekzotikë etj., etj. Por nuk munguan edhe reportazhet dhe esetë e holla, sikurse i lexojmë nga Joseph Roth - ato shkrimtari i madh austriak i shkroi për gazetën më të madhe gjermane "Frankfurter Allgemeine". Pas këtyre vijojnë, në periudhën e fashizmit, libra entuziastë, që idealizojnë racën shqiptare etj., etj. E pas këtyre, të kushtëzuar nga zhvillimet historike, vijnë librat e rrallë të personave që arrinin ta kalonin perden e hekurt me ndonjë grup turistësh marksistë-leninistë, që kanë emra të tillë si "Njolla e fundit e bardhë" e kontinentit etj.

Ajo çka më bie në sy, meqë e njoh mirë literaturën e specializuar për gjuhën, historinë, etnografinë shqipe, gjithë radhën e madhe të albanologëve të gjuhës gjermane, është ndryshimi i madh prej këtyre; diletantizëm, ekzaltim, përçmim e rrallë realizëm. Por sidoqoftë, libra gjithmonë interesantë për detajet ose fotografitë që riprodhojnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›