E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: I gatshëm ta jap urdhrin për sulm kundër Damaskut

SHBA- Presidenti i SHBA-ve Barack Obama nëpërmjet një konference nga Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se ai dhe SHBA-të janë gati të sulmojnë Sirinë, duke i ardhur në ndihmë popullsisë civile, të sulmuar nga qeveria e tyre, sic tha ai. Për këtë, ai i kërkoi Kongresit autorizimin që të fillojë sulmin kundër regjimit të Assad, në Siri.

“Kam vendosur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të nisin një aksion ushtarak kundër regjimit sirian, ta dënojnë për përdorimin e armëve kimike, që vranë mbi një mijë persona, një atentat ky ndaj dinjitetit njerëzor”, tha ai.

Teksa ndodhej përkrah zvendëspresidentit Joe Biden, lideri amerikan deklaroi se, “unë kam fuqinë për të urdhëruar sulmin pa marrë miratimin e dhomave dhe senatit, por kam vendosur të dëgjoj mendimin e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli amerikan dhe për këtë dua që të hapet një debat në kongres”, tha ai.

Ndërsa kërkoi mbështetjen e çdo aleati, Obama u shpreh se është i gatshëm të ndërhyjë në Siri edhe nëse nuk merr aprovimin e OKB-së.

“SHBA-ja nuk do t'i mbyllë sytë para asaj që ndodhi në Damask”, u shpreh Obama. “Sulmi ushtarak, -specifikoi ai- mund të jetë që nesër, pas një jave apo pas një muaji”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›