Obama: Populli libian, po shkruan një kapitull të ri

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama në një konferencë për shtyp, ka folur për situatën në Libi, duke vlerësuar si “kapitull të ri”, periudhën pas përmbysjes së regjimit të Muamer Gadafit.
“Sot, populli i Libisë po shkruan një kapitull të ri në jetën e vendit të vet. Pas katër dekadash të territ, ata tashti mund të ecin në rrugë të çliruar nga tirani. Ata bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet në gazetat e reja dhe në radio e televizion, në sheshet publike dhe në blogjet personale”, tha presidenti Obama, duke folur në selinë e Kombeve të Bashkuara, para bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të Shteteve të Bashkura dhe aleatëve, për ardhmërinë e Libisë.
Në këtë ceremoni ishte edhe lideri i Këshillit Tranzicional Kombëtar të Libisë, Mustafa Abdel Xhalil, i cili e ka lavdëruar koalicionin ndërkombëtar për ndihmën në kryengritje, gjatë së cilës, siç tha ai janë vrarë 25 mijë njerëz. Ai ka premtuar procese korrekte gjyqësore për anëtarët e regjimit të përmbysur.