E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-Putin: Koha për të përmirësuar raportet

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Rusi, presidenti amerikan Barak Obama është takuar me kryeministrin vendas, Vladimir Putin, në rezidencën e këtij të fundit. Presidenti amerikan i tha kreut te qeverisë ruse se ekziston tashmë një mundësi e shkëlqyer për të përmirësuar raportet ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Obama iu drejtua Putinit duke i thënë se dy vendet nuk mund të jenë dakort për gjithçka, por ndryshimet mund të përballohen me një ton respekti reciprok. Kështu Obama theksoi se pavarësisht se ata nuk mund të bien dakord mbi të gjitha çështjet, por sipas tij është një mundësi e shkëlqyer për ti vendosur marëdhëniet në pozitë më të fortë. Të dy udhëheqësit zhvilluan takimin e tyre të parë, në ditën e dytë të vizitës së Obama në Rusi.
Kryeministri Putin tha se Rusia shpreson për marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara , nën udhëheqjen e presidentit Obama. Takimi me personin që konsiderohet si më i pushtetshmi në Rusi, u zhvillua gjatë orëve të paradites të datës 7 korrik, ndërohë që numri një i Shtëpisë së Bardhë po viziton së bashku me familjen e tij, Moskën. Ndërkaq në ditën e parë të vizitës, Obama dhe presidenti rus, Dmitry Medvedev, nënshkruan tetë marrëveshje në fusha të ndryshme. Mes tyre ishte dhe një marrëveshje në parim për të negociuar një pakt të ri për kontrollin e çarmatimit, i cili do të zëvendësonte traktatin 18 vjeçar që njihet me emrin "START One". Presidenti rus Medvedev tha se dy udhëheqësit ishin angazhuar pa rezerva për të pakësuar arsenalin e armatimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›