E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: SHBA nuk është në luftë me Islamin

Ankara -Presidenti amerikan, Barack Obama në fjalimin e sotëm para parlamentit turk deklaroi se SHBA-ja nuk ishte në luftë me Islamin. Obama po përpiqet në përmirësimin e marrëdhënieve me botën myslimane, të cilat pas 11 shtatorit të vitit 2001 janë tensionuar së tepërmi. "Dua ta them qartë se SHBA-ja nuk është në luftë me Islamin", theksoi Obama.

Vizita e Obamës është komentuar edhe nga mediat amerikane. “Vizita e presidentit amerikan Barack Obama në Turqi përbën një fitore të madhe diplomatike për Ankaranë zyrtare, shkruan sot gazeta britanike "The Independent".

''Obama po përpiqet t'i përforcojë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë, në përpjekje për marrjen e ndihmës turke për tërheqjen graduale të forcave amerikane nga Iraku dhe orientimin e tyre drejt Afganistanit, por edhe mbështetje lidhur me Iranin dhe ambiciet e tij bërthamore'', shkruan gazeta.

Turqia është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, madje presidenti Obama, gjatë takimit BE-SHBA në Pragë i porositi liderët evropianë ta pranojnë këtë vend në gjirin e tyre, sepse kjo do të paraqesë "sinjal pozitiv për botën myslimane". ''Për Uashingtonin, Turqia është partner dhe aleat i rëndësishëm jo vetëm i SHBA-së, por edhe i Evropës dhe ajo mund të jetë urë edhe në marrëdhëniet e Izraelit me palestinezët dhe Sirinë'', thekson ''The Independent".

Sipas gazetës londineze, një prej çështjeve më të vështira në marrëdhëniet amerikano-turke është "gjenocidi armen", sepse për këtë ekziston një rezolutë në Kongresin amerikan, që Obama, në kohën e fushatës elektorale e ka mbështetur fort. ''Në Ankara kanë frikë se Barack Obama edhe si president mund ta mbështesë këtë dokument'', thekson gazeta ''The Independent''.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›