Obama: Sulmi në Arizonë, tragjedi kombëtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka dënuar ashpër sulmin ndaj kongresmenes Gabriell Gifords duke e cilësuar ngjarjen si tragjedi kombëtare.
“Kjo është më shumë se një tragjedi për ata që janë të përfshirë. Është tragjedi për Arizonën dhe tragjedi për gjithë vendin tonë. Ajo çfarë bëjnë amerikanët në kohë tragjedish është të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe të përkrahim njëri-tjetrin”, ka thënë Obama.
Gabriell Gifords u qëllua në kokë në qytetin Taskon të Arizonës. Anëtarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve është në gjendje kritike.
Lajmin e bëjnë të ditur mjekët të cilët po e kurojnë. Ata shprehen disi optimistë për mbijetesën e deputetes, por theksojnë gjithashtu se plaga në kokë ka pasur efekte shumë të rënda.