Përleshje fisnore në Sudan, 1 i vdekur

Të paktën një person ka vdekur, në përleshjet fisnore në rajonin e Abyei, në kufirin midis Sudanit Verior dhe Jugor, ndërsa në Sudanin jugor po zhvillohet referendumi për pavarësi. Mediat raportojne se numri i viktimave nga përleshjet mund të jetë më i lartë.
Referendumi është rezultat i një marrëveshjeje për paqe në vitin 2005 e cila përfundoi luftën civile 20-vjeçare veri-jug në të cilën kanë humbur jetën rreth 2 milionë njerëz.
Mijëra njerëz janë vendosur në radhë në qendrat e votimit në Juba, qyteti kryesor i Jugut, ndërkohë që në kryeqytetin Khartum, vendvotimet pothuajse janë braktisur sipas mediave lokale. Tashmë votoi edhe ai që cilësohet presidenti i Sudanit Jugor, Salva Kiir Mayardit.
Duke dalë nga qendra e votimit ai tha se ky ishte momenti që sudanezët e kishin pritur prej vitesh.
Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kethrin Eshton, ka thënë se referendumi për vetëvendosje në Sudanin jugor është i një rëndësie të madhe për paqe të qëndrueshme në këtë vend.