Obama dhe Romney përgatiten për debatin e parë

Pak ditë para debatit të parë, Presidenti Obama e përqendroi fjalimin e tij javor në radio në një nga temat kryesore, tek ekonomia. Presidenti kritikoi Kongresin, veçanërisht republikanët.
"E vërteta është se do të duhet kohë që tregu i shtëpive të rimëkëmbet plotësisht. Por do të duhet shumë më tepër kohë dhe natyrisht më shumë sakrifica, nëse Kongresi vazhdon të bëhet pengesë”, theksoi Obama.
Presidenti është kritikuar se nuk ka bërë sa duhet për krizën e tregut të banesave. Por ai tha në fjalimin e tij se ky treg po përmirësohet. Ky nuk është e vetmi lajm i mirë për ekonominë.
Shifrat e rishikuara të Departamentit të Punës tregojnë se vendi ka më tepër njerëz të punësuar sot, se sa kur Presidenti Obama mori detyrën në janar të vitit 2009. Këto shifra kundërshtojnë pretendimin e Romneyt se vendi ka humbur disa qindra mijëra vende pune nën administratën Obama.
Romney e humbi këtë armë të fushatës së tij pas dy javësh të vështira, pasi u publikua një video ku ai u thoshte përkrahësve të tij të pasur se 47 për qind e votuesve e konsiderojnë veten “viktima” dhe që duhet të kenë mbështetjen e qeverisë.
Matheë Doud, krye-strategu i fushatës së vitit 2004 të presidentit George W. Bush, tha në kanalin televiziv ABC Neës se debatet janë me rëndësi kritike për Romneyn.
Sondazhet e opinionit tregojnë se Presidenti Obama ka avantazh të ndjeshëm ndaj ish- guvernatorit të Masachussetsit në shumë nga shtetet që pritet të vendosin rezultatin e zgjedhjeve të 6 nëntorit. Duke pritur me optimizëm debatet, Romney e ka pranuar rëndësinë e tyre.
"Kjo do të jetë një mundësi e mirë për presidentin dhe për mua që të birësojmë me popullin amerikan rreth pikëpamjeve tona”, theksoi Romney.
Me gjithë pikëpamjet e tyre për çështjet në diskutim, Doud thotë se efekti i debatit të kandidatëve tek votuesit ka të bëjë më shumë me stilin e tyre, se sa me përmbajtjen.
"Nëse i hedhim një vështrim historisë së debateve, ato nuk kanë të bëjnë në fakt me politikat, nuk kanë të bëjnë me faktet. Njerëzit kanë dëgjuar shumë për këto. Ata kanë parë e kanë dëgjuar mjaft. Ata e kanë gjithçka të qartë. Debati ka të bëjë më shumë me cilësitë e personave, me personalitetin e tyre, me sjelljen e tyre”, tha Doud.
Çështjet e politikës së jashtme po rezervohen për debatin e dytë dhe të tretë, të caktuar për 16 dhe 22 tetor. Por kandidatët janë tashmë në konkurrencë për këtë temë, të dy zhvilluan diskutime telefonike me kryeministrin e Izraelit të premten, për atë se si të ndalen ambiciet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore.