Arrin në 2 mijë numri i ushtarëve të vrarë amerikanë në Afganistan

Kështu, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në Afganistan, gjatë luftës 11 vjeçare në këtë vend, arriti në 2000.
Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se nga sulmi në provincën lindore afgane, Vardak, është vrarë një ushtar amerikan.
Më parë, Forca Ndihmëse Ndërkombëtare e Sigurisë në Afganistan, që udhëhiqet nga NATO-ja, ka njoftuar se është vrarë një ushtar i koalicionit dhe një kontraktues civil. Po ashtu, në këtë incident ka pasur edhe viktima ushtarake afgane.
Zëdhënësi i qeverisë lokale, Shahidullah Shahid, tha se të shtënat kishin ndodhur si pasojë e një “keqkuptimi”.
Së paku 52 ushtarë të jashtëm, që veprojnë në kuadër të NATO-s në Afganistan, janë vrarë gjatë këtij viti nga sulmet e pjesëtarëve të ushtrisë afgane, që i kanë kthyer armët e tyre kundër aleatëve perëndimorë.