BE: Gjatë 2009-ës, të gjitha resurset në ndihmë të Kosovës

Krerët e përfaqësive të BE-së në Kosovë, përfaqësuesi special Piter Feith, ambasadorja e Çekisë Janina Hrebickova, kreu i Misionit të EULEX-it, Iv de Kermabon dhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian, Renxo Davidi kanë takuar të enjten përfaqësuesit e autoriteteve vendore, të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, me rastin e fillimit të vitit të ri. Me ketë rast, përfaqësuesi special i BE-së, Piter Feith ka vlerësuar se, në vitin 2008-të, Kosova ka treguar para botës dëshirën për të marrë përgjegjësinë për fatin e vet, për zhvillimin, stabilitetin dhe reformat e saj dhe për të treguar gatishmërinë që t'i bashkohet familjes euroatlantike të shteteve. "Në vitin 2009-të, BE-ja do t'i përqendrojë të gjitha resurset e veta në ndihmë të Kosovës, që ajo të ecë drejt një të ardhme plot dinjitet për të gjithë, me mundësi për zhvillim dhe begati për brezat e ardhshëm" , theksoi Feith. Ndërkaq, ambasadorja e Çekisë në Kosovë Janina Hrebickova, vend i së cilës aktualisht kryeson BE-në, është shprehur se beson që perspektiva e BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është interesi strategjik për stabilitet, siguri dhe parandalim të konflikteve në këtë rajon. Sipas saj, kjo perspektivë, gjithashtu kontribuon në rritjen e prosperitetit, përmirësimit të lidhjeve kryesore të rrugëve transportit të furnizimit me energji, si dhe fuqizimit të pozitës së BE-së në botë.