Obama fillon pushimet në Havai

Bashkëshortja e Obamas, Michelle Obama, dhe vajzat e tyre, Malia dhe Sasha, kanë qenë në Havai qysh prej javës së shkuar, ndërkohë që Presidenti qëndroi në Washington duke negociuar me mjaft tendosje me Kongresin lidhur me kohëzgjatjen e ligjit mbi shkurtimin e taksave mbi pagat.
Akti i fundit i dramës u zhvillua në orët e para të së premtes, kur Senati dhe më pas Dhoma e Përfaqësuesve miratuan me shpejtësi një kompromis, për të zgjatur shkurtimin e taksave për dy muaj të tjerë.
Obama firmosi ligjin, i cili gjithashtu lë në fuqi ndihmën e parashikuar prej qeverisë federale për të papunët, duke aprovuar edhe një masë tjetër legjislative të veçantë, e cila do të lejojë vazhdimin e punës për zyrat qeveritare gjatë vitit 2012.
Edhe pse mbajtja në fuqi e tatimeve të reduktuara u sigurua vetëm për 60 ditë, kjo shihet gjerësisht si një fitore për Obaman, i cili kërkon të rizgjidhet President në zgjedhjet e vitit 2012.