E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB-ja dënon sulmin vetëvrasës në Siri

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka rënë dakord për dënimin e sulmeve vetëvrasëse me bombë të së premtes në kryeqytetin e Sirisë, Damask, ku mbetën të vrarë të paktën 44 persona.

Deklarata e Këshillit të Sigurimit shprehë ngushëllimet për viktimat e shpërthimeve, për familjet e tyre dhe popullin sirian - por nuk ofron simpati për qeverinë siriane, e cila është akuzuar nga vendet perëndimore për goditje të përgjakshme kundër protestuesve të opozitës për nëntë muajt e fundit.

Pavarësisht nga marrëveshja për të dënuar sulmet, Këshilli i Sigurimit ende nuk ka arritur të pajtohet për një rezolutë për dhunën e ushtruar nga regjimi.

Të dërguarit perëndimorë kanë thënë se një propozim rus mbi masat për qeverinë siriane është ende shumë i dobët. Delegacionet perëndimore duan të kërcënojnë Sirinë me sanksione, si dhe me një embargo armësh.

Por Rusia, një aleate tradicionale e regjimit sirian, do që rezoluta të përmbajë edhe dënime për dhunën kundër forcave të sigurisë.

I dërguari i Rusisë në OKB, Vitali Curkin, përjashtoi imponimin e embargos së armëve kundër Sirisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›