Obama firmos ligjin e pagëzuar me emrin "David Pearl"
Presidenti Barack Obama ka firmosur ditën e hënë një ligj për lirinë e shtypit të cilin e quajti me emrin e gazetarit amerikan Daniel Pearl. Nënshkrimi u krye në prani të familjes së gazetarit amerikan të ekzekutuar në Pakistan në vitin 2002.
Gjatë një ceremonie të shkurtër në Zyrën Ovale, presidenti Obama e nënshkroi këtë ligj që kërkon nga Departamenti i Shtetit që të japë më tepër hollësi në raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut, për situatën e lirisë së shtypit në të gjitha vendet e botës dhe të përcaktojë vendet ku ai cënohet.
"Ky ligj jep një mesazh të fortë për vlerat themelore lidhur me lirinë e shtypit", u shpreh Obama, i rrethuar nga të afërm të Daniel Pearl: prindërit e tij, dy motrat, e veja Mariana dhe djali i tyre 7-vjeçar, i cili lindi tre muaj pas vrasjes së gazetarit.
Presidenti i bëri homazh familjes Pearl duke u shprehur qartë se pavarësisht nga vdekja e Danielit, mesazhi i tij vazhdon të ekzistojë. Daniel Pearl drejtonte zyrën e "ëall Street Journal" për Azinë Jugore. Ai u rrëmbye në janar të vitit 2002 në Karaçi ku u përpoq të hynte në kontakt me militantë islamikë.
Ekzekutimi i tij është filmuar dhe publikuar në disa faqe islamike interneti.