E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama i drejtohet botës islamike: Amerika nuk është armikja juaj

Zoti President, detyra e parë e të dërguarit tuaj special në Lindjen e Mesme, senatorit Miçëll, është konsolidimi i armëpushimit mes palëve. Por, ju keni thënë se dëshironi të angazhohet së tepërmi për t‘i bërë izraelitët dhe palestinezët të arrijnë te paqja. Si e sheh rolin e tij personal?

Më e rëndësishmja është se SHBA-ja u angazhua që në fillim për këtë çështje. Xhorxh Miçëll është një burrë shumë i zgjuar, një nga të paktët njerëz që kanë eksperiencë në fushën ndërkombëtare si ndërmjetës për arritjen e paqes. I kam thënë që ta nisë me dëgjimin, sepse shumë shpesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin zgjidhje, kur jo gjithmonë njohin të gjitha elementet e problemit. Miçëll do të flasë me të gjitha palët e përfshira, pastaj do të mi referojë mua. Në këtë pikë do formulojmë një përgjigje specifike. Nuk mund t‘u themi izraelitëve, apo palestinezëve se çfarë është më e mira për ta. Janë ata që duhet t‘i marrin vendimet. Por, jam i bindur se ka ardhur koha që njëra palë, apo tjetra të kuptojë se rruga që kanë ndjekur nuk mund t‘i sjellë prosperitet as siguri popujve të tyre. Ka ardhur momenti që të kthehen në tryezën e bisedimeve për negociata. Do të jetë një proces i vështirë, që kërkon kohë, sepse është një çështje që mund të zgjidhet brenda pak muajsh.

Domethënë, do të veprohet krejt ndryshe nga e kaluara, kur amerikanët, sipas kritikave të bëra nga bota arabe dhe islame, i impononin gjithmonë idetë e saj izraelitëve? Tani ka një plan arab për paqen. Duhet të presim një ndryshim paradigme?

Kjo është e rëndësishme. Mendoni për propozimin e bërë nga mbreti Abdullah, sovrani saudit. Nuk jam dakord në të gjitha pikat, por është dashur një guxim i madh për ta propozuar. Në të gjithë këtë zonë ka ide se si mund të arrihet te paqja. Nuk mund të mendojmë vetëm për konfliktin mes izraelitëve e palestinezëve dhe të mos shohim atë që po ndodh me Sirinë, Iranin, Libanin, Afganistanin dhe Pakistanin. Janë të gjitha gjëra të lidhura mes tyre. Nëse e konsiderojmë këtë rajon si një të vetëm dhe japim një mesazh në botën arabe dhe islame, duke thënë se jemi gati për të nisur një bashkëpunim të ri bazuar mbi respektin dhe interesin reciprok, atëherë do të arrijmë të bëjmë progrese të rëndësishme. Izraeli është një aleat i fortë i SHBA-së dhe ashtu do vazhdojë të jetë. Unë vazhdoj të jem i bindur se siguria e Izraelit është parësore. Por, jam i bindur, gjithashtu se ka izraelitë që e dinë se është e rëndësishme arritja e paqes. Do të jenë të gatshëm të bëjnë sakrifica, nëse është momenti i duhur dhe nëse, nga ana tjetër, do të ketë një bashkëpunim serioz. Ajo që duhet të bëjmë është të dëgjojmë dhe të lëmë mënjanë disa koncepte që janë akumuluar në vitet e fundit.

Shumë izraelitë dhe palestinezë janë të frustruar për situatën aktuale dhe po i humbin shpresat: mendojnë se koha për zgjidhjen e dy shteteve është duke u ezauruar, parimisht për shkak të kolonizimit të territoreve. Do të jetë e mundur të asistoni në lindjen e një shteti palestinez brenda përfundimit të mandatit tuaj të parë?

Mendoj se do të arrijmë të shohim lindjen e një shteti palestinez (nuk dua të fiksoj data), që ka vazhdimësi gjeografike, që lejon lirinë e lëvizjes së qytetarëve të tij, tregtinë me vendet e tjera, krijimin e aktiviteteve tregtare dhe ndërmarrjeve, në mënyrë që t‘u përmirësojë jetën njerëzve. Mendoj se kushdo që i ka studiuar problemet e Lindjes së Mesme është i ndërgjegjshëm se situata për qytetarët e thjeshtë palestinez në shumë raste nuk është përmirësuar. Thelbi i të gjitha këtyre bisedave është: A do të mundet një fëmijë i territoreve të pushtuara të bëjë një jetë të mirë? A do të kenë ata një të ardhme? Po një fëmijë izraelit, a do të mund të ketë sigurinë për paprekshmërinë dhe sigurinë e tij. Nëse e përqendrojmë veprimin tonë për ta përmirësuar jetën e tyre, do të kemi mundësi për të bërë progrese reale.

Ju keni në program që 100 ditët e para t‘u drejtoheni myslimanëve nga një kryeqytet i botës islamike. Ju shqetëson fakti se në disa pjesë të botës islamike ekziston një lloj "demonizimi" ndaj Amerikës? Në të kaluarën Shtetet e Bashkuara kishin një vlerë të madhe, por pas 11 shtatorit dhe pushtimit të Irakut, pengesa me Amerikën u bë më e thellë. Tani njerëzit e ndiejnë që ju po silleni ndryshe, e kjo duket se e ka nervozuar shumë Zavahir dhe Osama bin Ladenin. Kanë të drejtë të bëhen nervozë?

Retorika që kanë përdorur kundër meje më bën të kuptoj se idetë e tyre janë një katastrofë. Asnjë fëmijë mysliman nuk ka pasur edukim më të mirë, apo kujdes shëndetësor më të mirë, falë mënyrës se si ata veprojnë. Në fjalimin tim, kur bëra betimin, thashë: Do të gjykoheni për atë që keni ndërtuar, jo për atë që keni shkatërruar. Sepse ata vetëm shkatërrojnë. Unë mendoj se bota islamike e ka kuptuar që ajo rrugë nuk të çon asgjëkund, përveçse drejt vdekjes dhe shkatërrimit. Detyra ime është të komunikoj se mirëqenia e botë islamike është në interes të SHBA-së, se gjuha që përdorim duhet të jetë ajo e respektit. Unë kam të afërm myslimanë, kam jetuar në vende myslimane, madje në vendin më të madh në botën myslimane, në Indonezi. Detyra ime është t‘i komunikoj popullit amerikan se bota islamike është plot njerëz të jashtëzakonshëm, që duan të jetojnë jetën e tyre dhe të shohin fëmijët e tyre që bëjnë një jetë të mirë. Detyra ime drejt botës islamike është t‘u komunikoj se amerikanët nuk janë armiqtë e tyre dhe këtë e konsideroj një detyrë të rëndësishme.

Mund të na thoni se cilin vend islamik do të vizitoni të parin? Nuk dua ta jap lajmin tani, por do të jetë i rëndësishëm. Dua që njerëzit ta kuptojnë se ne do të çojmë përpara një seri iniciativash. Duke dërguar Xhorxh Miçëll në Lindjen e Mesme realizova premtimin e bërë gjatë fushatës elektorale, d.m.th. se nuk do të presim deri në fund të mandatit për të zgjidhur nyjën e konfliktit izraelito-palestinez, por që do të fillojmë nga puna menjëherë. Më pas dua që ta mbaj premtimin tim për t‘iu drejtuar myslimanëve nga një kryeqytet i botës islamike. Do të më shohin që do të respektoj vendimin për reduktimin e trupave në Irak, për t‘i bërë irakianët që të ndiejnë një përgjegjësi më të madhe. Po ashtu, patë një nga premtimet e mbajtura, mbyllja e Guantanamos që bën të qartë diçka: se edhe pse jemi të vendosur për të luftuar organizatat terroriste që vrasin civilë të pafajshëm, këtë do ta bëjmë duke respektuar shtetin e së drejtës, ai që në bindjen time formoi madhështinë e Amerikës.

Presidenti Bush e përcaktoi luftën ndaj terrorit me terma shumë të gjerë dhe në disa raste ka përdorur një terminologji, si fashizmi islamik që ka shkaktuar mjaft kritika. Ju duket se po i jepni një "lexim" ndryshe këtij konflikti, një luftë që po zhvillohet specifikisht kundër një grupi të quajtur Al-Kaeda dhe bashkëpunëtorëve të saj? E vërtetë është kjo?

Nënvizuat një çështje shumë delikate, d.m.th. atë që gjuha që përdorim është shumë e rëndësishme. Ka organizata ekstremiste që përdorin besimin si justifikim për dhunën. Por nuk mund ta shohim një besim si pasojë e dhunës që bëhet në emër të tij. Do ta shihni që administrata jonë do të bëjë një dallim shumë të qartë mes organizatave të tilla si Al-Kaeda dhe personave që mund të mos jenë dakord me administratën time, ose që mund të kenë një këndvështrim të veçantë mbi zhvillimin që duhet të ndjekë vendi i tyre. Legjitimisht mund të mos përputhemi, por e rëndësishme është që të ekzistojë respekti. Ne vërtet që do të "gjuajmë" organizatat terroriste, por, në përgjithësi do të jemi më të butë ndaj botës islamike.

Së fundmi, një pyetje për Iranin dhe Irakun? A do të mund ta pranojnë SHBA-në një Iran që ka armë bërthamore? Dhe në të kundërt, deri në çfarë pike është e gatshme për t‘i ndaluar?

Është shumë e rëndësishme për ne të veprojmë në mënyrë që të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion, përfshi edhe diplomacinë në raportet me Iranin. Iranianët janë një popull i madh, qytetërimi persian është një qytetërim i madh. Irani ka bërë gjëra që nuk e favorizojnë paqen dhe prosperitetin e asaj zone. Kërcënimet e tyre kundër izraelit, përpjekjet e tyre për t‘u pajisur me bomba atomike, mbështetja që në të kaluarën u kanë dhënë organizatave terroriste. Asnjë nga këto gjëra nuk i ka ndihmuar. Por e konsideroj të rëndësishëm faktin që SHBA-ja është e gatshme të dialogojë me Iranin, të shprehet me shumë qartësi se cilat janë pikat ku nuk jemi dakord, por ku ekziston edhe mundësia për të bërë hapa para. Në muajt në vazhdim do të hartojmë një plan më të përgjithshëm dhe më të detajuar. E kam thënë edhe në fjalimin tim, në ditën kur mora detyrën, se nëse vende si Irani do të jenë të gatshëm të hapin grushtin, do të gjejnë te ne një dorë të shtrirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›