Obama i kundërpërgjigjet Romneyt: President i të gjithë amerikanëve
Presidenti Barack Obama i është kundërpërgjigjur për herë të parë akuzave të rivalit të tij republikan Mitt Romney, lidhur me pretendimet e këtij të fundit se rreth gjysma e votuesve amerikanë varen tek qeveria për të siguruar jetesën. Ky reagim i Presidentit actual të SHBA-së, Obama u bë gjatë një emisioni në televizionin CBS, me gazetarin David Letterman.
“Nuk e di se kujt po i referohej zoti Romney por ajo që mund të them është se kur fitova në vitin 2008, 47 për qind e popullit amerikan votoi për John McCain dhe jo për mua. Natën e zgjedhjeve unë thashë se `megjithëse nuk votuat për mua, unë e dëgjoj zërin tuaj dhe do të punoj me të gjitha forcat që të jem presidenti juaj`. Dhe një nga gjërat që kam mësuar është se si president përfaqëson të gjithë vendin. Dhe kur takoj republikanë kur udhëtoj në gjithë vendin, ata janë njerëz që punojnë shumë që e duan shumë këtë vend. Dhe nga përvoja ime mund të them se nëse do që të jesh president duhet të punosh për të gjithë jo vetëm për disa”.
Në një video të xhiruar fshehtas që u bë publike të hënën, zoti Romney shfaqet duke u thënë donatorëve të fushatës së tij se 47 për qind e votuesve që mbështesin zotin Obama, nuk paguajnë taksa, por besojnë se kanë të drejtën të përfitojnë nga ndihma sociale.
Ndërkaq gjatë një tubimi dje në Utah, Romney shpjegoi se po përpiqej të bënte dallimin mes qëndrimeve të tij dhe të presidentit.
“Ai beson në një Amerikë që ka në qendër qeverinë, ku qeveria merr gjithnjë e më shumë dhe ia jep atyre që beson se kanë nevojë për ndihmë. Ne të gjithë besojmë se kur njerëzit janë në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmë, ne i mbështesim përkohësisht. Ne i ndihmojmë të rimëkëmben por nuk besojmë tek rishpërndarja e pasurisë”.
Pasi videoja u shfaq, Romney ka pranuar deklaratën e tij të nxituar, duke theksuar se nuk ishte shprehur me shumë elegancë.
Presidenti Obama e gjeti veten në një situatë të ngjashme në fushatën e vitit 2008 për president, kur ishte xhiruar fshehtas në një aktivitet privat dhuruesish ku thoshte se votuesit e bardhë të zonave të largëta, të zemëruar nga problemet e tyre, gjejnë ngushëllim “tek armët apo feja”.
Ditët e fundit pretendenti për President të SHBA-së, Romney është kritikuar ashpër për një sërë hapash të gabuar, përfshirë përgjigjen ndaj protestave anti-amerikane në Egjipt dhe sulmin vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Libi. Mbështetja e Romney mes votuesve ka filluar të bjerë në krahasim me Obaman në të gjithë vendin dhe në disa shtete ku votat elektorale janë kritike për secilën nga fushatat.