Obama i përgjigjet pyetjeve në “Twitter”

Presidenti amerikan, Barak Obama,ka marrë pjesë për herë të parë në një seancë në faqen “Twitter”, në internet. Obama iu përgjigj 18 pyetjeve të incizuara në ekran, që ishin dërguar nga shfrytëzuesit e faqes së popullarizuar “Twitter”. Por, para se të ulej në kompjuterin e tij, ai këtë ngjarje e vetëshpalli si historike.
“Unë do të bëj histori këtu si presidenti i parë që drejtpërdrejt merr pjesë në Twwitter”, tha presidenti Obama. Mesazhi i Obamës, që ishte brenda kufizimeve të Twitterit, prej 140 karaktereve, i pyeste amerikanët: “Me qëllim që të reduktohet deficiti, çfarë çmimesh ju do të shkurtonit dhe çfarë investimesh ju do t’i mbanit?”. Presidenti gjithashtu i është përgjigjur edhe pyetjeve që lidheshin me afrimin e afatit për rritjen e kufirit maksimal të borxhit kombëtar. Nëse ligjvënësit nuk arrijnë, që deri më 2 gusht ta rrisin kufirin se sa shumë borxh vendi mund të mbajë, mbi nivelin aktual prej 14,300 miliardë dollarësh, atëherë Qeveria do ta kalojë kapacitetin huamarrës dhe duhet të fillojë të mos i paguajë këstet.
Demokratët janë në betejë me republikanët, lidhur me atë se si të evitohet kjo dhe të gjenerohen të ardhura të nevojshme. Demokratët janë në favor të rritjes së taksave për shtetasit më të pasur të vendit, ndërsa republikanët i favorizojnë shkurtimet masive të shpenzimeve, përfshirë edhe programet sociale. Obama tha se dështimi për të arritur marrëveshje, do të ketë pasoja të rënda. “Kredia jonë mund të degradohet, shkallët e kamatave mund të shkojnë në mënyrë drastike lartë dhe mund të shkaktojnë një spirale të tërë të re në recesionin e dytë, ose edhe më keq”, u shpreh Obama.
Në përgjigjet e pyetjeve të tjera, që nëpërmjet Twitterit, vinin nga e gjithë Amerika, presidenti e mbrojti paketën stimuluese të tij të vitit 2009, për shpenzime dhe investime si “çështje e drejtë”, por e pranoi se e kishte nënçmuar gjerësinë e recesionit të vitit 2000. Njëri nga shfrytëzuesit e faqes Twitter, që nuk ishte i impresionuar me këtë përgjigje, ishte kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Xhon Boner, republikan nga Ohajo, ia doli që presidentit t’i shtrojë pyetje nëpërmjet Twitterit.