Obama i premton popullit: “Luftës në Irak po i vjen fundi”
Blerina Olldashi
Trupat amerikane do të tërhiqen nga Iraku dhe në këtë mënyrë bijtë e kombit mund të kthehen pranë familjeve të tyre. Kështu deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barak Obama në fjalimin e tij të parë vjetor për gjendjen në vend, duke i trajtuar me një rëndësi të veçantë edhe temat e tjera aktuale si papunësia dhe kriza financiare. “Ndërsa po luftojmë Al Kaidën, kemi përgjegjësinë që Irakun t’ia lëmë popullit të tij. Si kandidat, premtova se do t’i jap fund kësaj lufte, dhe kjo është ajo që po bëj si president. Të gjitha trupat tona luftarake do të kthehen deri në fund të gushtit. Ne do ta mbështesim Qeverinë irakiane dhe do të vazhdojmë të jemi partnerë me popullin irakian, për të promovuar paqe dhe stabilitet rajonal”, tha presidenti amerikan. Megjithëse në vitin e parë në detyrë, ai urdhëroi dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, për të ndihmuar në mposhtjen e kryengritjes së talibanëve, Obama tha se ai është i bindur se po shihet fundi i luftimeve. “Në Afganistan, ne po i rrisim trupat tona dhe i trajnojmë forcat afgane të sigurisë që ato të mund ta marrin përgjegjësinë në korrik, 2011, dhe trupat tona të fillojnë të kthehen në shtëpi”, tha Obama.
Arritjet
Krahas mangësive dhe planeve të parealizuara, Obama nuk nguroi të vinte në pah arritjet në politikën e jashtme: marrëveshjen për reduktimin e armatimit bërthamor, e cila do ta jetë pasardhëse e marrëveshjes “START” nga viti 1991. Obama këtu përmendi takimin e ardhshëm të liderëve botërorë për të siguruar materialet bërthamore, si suksesin e dytë të politikës së jashtme gjatë vitit të parë në detyrë. “Në samitin bërthamor në prill, ne do t’i ulim bashkë 44 vende këtu në Uashington, për qëllimin e qartë: të sigurohen të gjitha materialet bërthamore në botë brenda katër vjetëve, që ato kurrë më të mos bien në duart e terroristëve”, tha Obama.
Kriza ekonomike
Pjesa më e madhe e fjalimit të Obamës u fokusua tek ekonomia dhe periudha e vështirë që ajo po kalon. Sipas shumë ekonomistëve, teknikisht recesioni ka marrë fund, por papunësia e madhe, thonë ata, i bën shumë biznese të kenë kujdes kur marrin punëtorë. Papunësia në SHBA ka shkuar mbi 10 për qind dhe shumë amerikanë e fajësojnë Obamën se ka shpenzuar tepër energji për reformat në sistemin shëndetësor, si dhe për luftërat në Irak dhe Afganistan.
Sfidat
Në fjalimin e tij Presidenti Obama e vuri theksin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rregullimin e ekonomisë. Ai pranoi se paketa e shpëtimit të qeverisë për bankat kishte ngjallur shumë zemërim në popull, por tha se ky hap ishte i nevojshëm për të stabilizuar sistemin financiar. Presidenti Obama tha se nuk do t'ia linte trashëgim brezit të ardhshëm defiçitin e madh buxhetor dhe situatën e rëndë që ai gjeti kur mori postin. “Një vit më parë, unë e mora postin mes dy luftërave, kur ekonomia ishte prekur nga recesioni i rëndë, kur sistemi financiar ishte në prag të falimentimit dhe qeveria e zhytur thellë në borxh. Ne vepruan menjëherë. Tani më të keqen e kemi lënë prapa. Por, pasojat shkatërrimtare të kësaj stuhie vazhdojnë”, tha Presidenti Obama.
Londër, ndërkombëtarët: Viti 2010, vendimtar për Afganistanin
Afganistani do të ketë kontroll të sigurisë në disa prej provincave nga fundi i 2010. Ky ishte një nga premtimet e rëndësishme të një samiti që u mbajt në Londër mbi të ardhmen e Afganistanit. Ministri i jashtëm britanik e përshkroi 2010 si një vit “vendimtar” pasi një qeveri e re tani ishte në fuqi atje, por ai paralajmëroi për shtim të kryengritjes. Ai tha se siguria në të gjitha provincat do të jetë nën udhëheqjen afgane brenda pesë vjetësh. Udhëheqësit nga 70 vende gjithashtu premtuan 140 milionë dollarë për të tërhequr luftëtarët talibanë. Presidenti afgan Hamid Karzai sqaroi se vendi i tij është i gatshëm që të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për sigurinë. “Ne do të vazhdojmë të reformojmë institucionet tona shtetërore. Ne kemi nevojë për të forcuar menaxhimin drejtues dhe mbikëqyrjen e kapaciteteve të shërbimit tonë civil dhe institucionet tona demokratike. Ne duhet të racionalizojmë ligjet tona, rregulloret dhe procedurat në mënyrë që qeveria të mund të punojë pa probleme, e liruar nga korrupsioni dhe vendim-marrja arbitrar”, tha Karzai. Përfaqësues të rreth 60 vendeve dhe të dhjetë organizatave ndërkombëtare po konsultohen për ecurinë e mëtejshme në Afganistan. Para së gjithash do të diskutohet se si dhe kur do të mund të kalojë kontrolli i vendit tek forcat afgane të sigurisë.
Petersen për “Strategjinë e Veriut”: “Serbia do të bëhet pengesë”
Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen- Petersen tha për BBC-në se strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe e autoriteteve të Kosovës për integrimin e veriut të saj, rrezikon të sfidohet nga struktura paralele në këtë pjesë. Ai tha se edhe disa nga udhëheqësit e lartë në Beograd mund ta pengojnë zbatimin e strategjisë në veri. Sipas zotit Jesen-Petersen, BE-ja është e njohur me strategjinë për veriun e Kosovës, por dallimet brenda saj janë shumë të mëdha. Strategjia e autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për veriun, që u bë publike një javë më parë, parasheh shtrirjen e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele atje. Zoti Soren Jesen-Petersen e cilësoi strategjinë si të mirë dhe të paraqitur me kohë. “Është një nismë e mirë dhe në kohën e duhur sepse, saktësisht është një nismë për Kosovën Veriore. Është me shumë rëndësi që të bëhen përpjekje më të fuqishme për ta bërë të qartë se çfarë do të bëjë Kosova e pavarur për të mbuluar gjithë territorin e saj”, shprehet Petersen.
29 Janar 2010