Matura 2010, Gjimnazet propozojnë katër lëndë me zgjedhje për maturantët
Jonida Tashi
Drejtuesit e gjimnazeve propozojnë që në procesin e Maturës Shtetërore 2010, maturantët të kenë mundësi të japin katër provime me zgjedhje, nga dy që kanë qenë një vit më parë. Ky propozim, i bërë nga disa drejtues të shkollave të mesme të vendit konsiston në rritjen e mundësive të maturantëve për të vijuar studimet e larta, dhe sidomos në degët e preferuara. Kështu, nëse maturantët do të kenë mundësi që si provime me zgjedhje të japin katër lëndë të ndryshme, shanset e tyre për të fituar universitetin janë 2-fish më të mëdha, krahasuar me provimet e Maturës 2009. Pasi në këtë mënyrë, të rinjtë do të konkurrojnë për të fituar shkollën e lartë jo më vetëm për dy degë, por në katër.
Rregullorja
Por, megjithë propozimet e bëra deri tani nga maturantët dhe drejtuesit e gjimnazeve, për Maturën 2010, ende Ministria e Arsimit nuk ka aprovuar rregulloren e re të provimeve të Maturës Shtetërore. Lidhur me kohën e publikimit të këtij dokumenti tepër të rëndësishëm për mbarëvajtjen e provimeve të Maturës, burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se rregullorja është hartuar dhe do të publikohet nga java e dytë e muajit shkurt. Ndërsa përsa i përket ndryshimeve të bëra në të, të njëjtat burime shpjegojnë se në rregulloren e Maturës Shtetërore 2010, do të ketë vetëm ndryshime teknike në zhvillimin e provimeve, që mund të kenë të bëjnë me ditët kur do të mbahen provimet, në mënyrë që ato të mos bëhen në ditët zyrtare të pushimit, por të qëllojnë ditë jave. Vendimi për ndryshimet e procesit të Maturës 2010 do të merret këto ditë, gjatë cilave është parashikuar se ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj do të zhvillojë një takim me të gjithë drejtuesit e drejtorive arsimore si dhe atyre të shkollave të mesme të vendit. Mësohet se në këtë takim që është parashikuar të mbahet në ditët e fundit të muajit janar, Tafaj do të diskutojë me drejtuesit e arsimit parauniversitar për Maturën 2010, duke iu referuar edhe të dhënave nga Matura 2009. Në varësi të diskutimeve do të merret edhe vendimi nëse Matura 2010 duhet të ketë ndryshime ose jo.
Diskutimet
Ndonëse ende nuk është marrë vendimi final për Maturën 2010, që nënkupton publikimin e rregullores së saj, burime nga Ministria e Arsimit pohojnë se edhe nëse do të ketë ndryshime ato thjesht do të kenë të bëjnë me çështjet teknike të procesit dhe nuk do të prekin thelbin e provimeve të Maturës. Gjithsesi, kërkesat për disa ndryshime në procesin e Maturës Shtetërore mbeten ende në fuqi dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga dikasteri i Arsimit. Bëhet fjalë për 14 kërkesat që para kohësh gjimnazistët e kryeqytetit i dërguan zyrtarisht drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë kanë propozuar ndryshimin e disa rregullave në provimet e Maturës. Deri tani, për Maturën Shtetërore 2010 është vendosur vetëm data e zhvillimit të provimeve. Këtë vit, maturantët do t’i nënshtrohen më herët provimeve të Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë datat e këtyre provimeve, duke i afruar ato më shumë me datën e mbylljes së procesit mësimor. Sipas datave të reja, sesioni i provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore do të fillojë më 7 qershor për të mbaruar më 2 korrik 2010. Ndërkohë që gjatë Maturës së vjetshme provimi i fundit u zhvillua në datën 10 korrik.
14 kërkesat e maturantëve për Maturën 2010
1. Pyetjet të hartohen në bazë të njohurive të marra gjatë 4 viteve të shkollës, duke u marrë parasysh dhe profili i zgjedhur nga nxënësi.
2. Tezat e hartuara për profilin shoqëror të jenë të ndryshme nga ato të profilit natyror.
3. Të përcaktohet literatura që në fillim të vitit shkollor. Në fillim të vitit shkollor dhe gjatë tij, nxënësit t’i jepen tezat të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore dhe t’i referohen programit mësimor.
4. Pyetjet për koment në tezat e Letërsisë të jenë ato që do të bëhen gjatë vitit shkollor dhe mos të dilet jashtë teksteve mësimore.
5. Në provimin e Letërsisë dhe atë të Gjuhëve të Huaja t’i jepen më pak pikë esesë, pasi kjo ka shumë probleme me nxënësit dhe i ul shumë pikë atyre.
6. Në provimin e Gjuhëve të Huaja, pjesa e të lexuarit të jetë më e shkurtër.
7. Të hiqet provimi i detyruar i Matematikës për “Liceun Artistik” dhe provimi i detyruar i Letërsisë për shkollën e mesme Elektrike dhe Ekonomike.
8. Të ndahet provimi i Ekonomisë nga ai i Filozofisë.
9. Të rritet përqindja e mesatares së 4 viteve deri në 40 %.
10. Të rishikohen koeficientet e vendosur për shkollat në bazë të nivelit të tyre dhe të rishikohen ndryshimet ndërmjet koeficienteve të profilit shoqëror dhe atij natyror.
11. Të informohen nxënësit për degët e reja që hapen, pra të funksionojë këshillimi i karrierës nëpër shkolla.
12. Të ulet sasia e degëve të zgjedhura për plotësimin e formularit A1.
13. Korrigjimi të bëhet nga mësues të trajnuar.
14. Të ketë mundësi rishikimi dhe rivlerësimi të tezës.
Projektligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Shoqëria civile i kundërvihet Avokatit të Popullit për kompetencat
Projektligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kundërvënë mes tyre, shoqërinë civile si hartuese e tij dhe institucionin e Avokatit të Popullit. Ky i fundit ka kërkuar në mbledhjen e djeshme të Komisionit kuvendor për Çështjet sociale që të marrë kompetencat e mbrojtësit të personave që ndjejnë se janë të diskriminuar, sipas kategorive të përcaktuara në draftin ligjor. Në fjalën e tij, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, e ka cilësuar si shpenzim të tepërt rolin e komisionerit të përcaktuar në draftin ligjor, sipas të cilit, ai do të drejtojë një institucion të veçantë e të pavarur. “Nuk besoj se shteti shqiptar ka aq para sa të paguaj njerëz dhe të ngrejë institucione, kur dihet se ka pak punë në drejtim të ankesave për diskriminim. Ne propozojmë që kjo kompetencë të na kalojë neve, natyrisht kjo kërkon një ndryshim në ligjin për funksionimin dhe rolin e institucionit të Avokatit të Popullit”,- u shpreh Dobjani. Deklarata e Dobjanit është pasur me reagimin e menjëhershëm të shoqërisë civile. Drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Azizaj, e ka cilësuar propozimin si një portofol më shumë, e natyrisht një interes financiar i Avokatit të Popullit. Për këtë aryse, Azizaj u ka tërhequr vëmendjen deputetëve të vlerësojnë rolin e komisionerit, pasi ky është përcaktuar dhe në direktivat e Bashkimit Europian si një kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane. Ditën e djeshme, Ligji për Mbrojtjen ndaj Diskriminimi është miratuar vetëm në parim, për këtë arsye, Komisioni ka vendosur që ditën e hënë të shqyrtojë nen për nen draftin ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi.
Lëvizja “Zgjohu” kërkon kthimin mbrapsht të Ligjit për Gay-t
Lëvizja “Zgjohu’ dhe disa organizatave të tjera në mbrojtje të qytetarëve, kërkojnë në seancë dëgjimore në Parlamentin shqiptar (kthimin mbrapsht për ripunim dhe diskutim gjithëpërfshirës të Projektligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i njohur ndryshe si Ligji i të Drejtave të gay-ve. Ditën e djeshme, avokati i Lëvizjes “Zgjohu”, altin Goxhaj, përmes një komunikimi publik, bëri të ditur se do të ishte i pranishëm në Komisionin e Integrimit dhe Komisionin e Punës të Parlamentit, për të vënë në dukje se projektligji, është teknikisht shumë i dobët, i pabazuar, i pakonsultuar në shoqërinë civile dhe në grupet e interesit. Sipas tij, ky draft, mbi të gjitha është një ligj antikushtetues, që shkel hapur të drejtat e njeriut dhe rrezikon të prodhoje persekutime individuale dhe kolektive të qytetarëve dhe subjekteve juridike, si pasojë e keqpërdorimit dhe abuzimeve që shkaktojnë subjektivitetet e rënda të parashikuara në këtë ligj.
Të dhënat personale do të mbrohen së shpejti me ligj
Mbrojtja e të dhënave personale shumë shpejt do të mbrohet me ligj, kusht ky i kërkuar nga Bashkimi Europian për integrimin e Shqipërisë. Ministri i Shtetit, Genc Pollo ka vlerësuar ligjin nr.9887, datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili shtjellon ndër të tjera mbrojtjen e privatësisë së personit. Këtu përfshihen të dhënat personale të individit që kanë të bëjnë me: çdo të dhënë dhe informacion që lidhet me personin; me jetën e tij private; të drejtat; pronën; mjedisin që lidhet me pronën; banesën dhe pjesët e saj; veprimtarinë dhe interesat vetjake; çështjet e brendshme familjare; të dhënat sensitive; origjinën racore ose etnike; mendimet politike; anëtarësimin në sindikata; besimin fetar ose filozofik; dënimin penal; si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale; tiparet biologjike unike; të drejtën e votës; të dhëna biometrike; karakteristikat gjenetike, etj. Me miratimin e këtij ligji dhe vendosjen e Autoritetit Mbikëqyrës për mbikëqyrjen dhe monitorimin e mbrojtjes së të dhënave personale, Shqipëria do të mund të rreshtohet në krah të shteteve të zhvilluara të Europës, të cilat përmbushin standardet e mbrojtjes së të dhënave personale.
29 Janar 2010