Për 2010-n, ministria ul numrin e pacientëve që do të kurohen jashtë
Eljona Lata
Pacientët, të cilët vuajnë nga sëmundje që mund të kurohen vetëm jashtë shtetit do të kenë më pak mundësi për t’u trajtuar falas në spitalet huaja. Në krahasim me vitet e tjera, për ketë vit do të pranohen më pak të sëmurë, të cilët dërgohen nga Ministria e Shëndetësie për t’u trajtuar në spitalet e shteteve të huaja. Kjo për shkak të prishjes të marrëveshjeve me Greqinë. “Për këtë vit kemi vetëm dy marrëveshje me Turqinë dhe spitalin “Bambino Xhuzi” në Romë. Numri i pacientëve që do të kurohen jashtë duke mos pasur mundësi të kurohen në spitalet shqiptare do të jetë më i ulët në krahasim me vitet e tjera sepse një pjesë e tyre që kurohej në Greqi nuk do ketë më mundësi sepse shteti Grek ka pezulluar marrëveshjen me Shqipërinë” u shpreh dje për gazetën “Albania” shefja e marrëdhënieve me jashtë, Brunilda Tushaj.
Për 2010-n
Për këtë vit do të ketë një numër akoma më të kufizuar të pacientëve, të cilëve Ministria e Shëndetësisë i mundëson kurimin falas në spitalet e shteteve që nënshkruar marrëveshje. “Në muajin shtator të vitit 2009 u pezullua marrëveshja midis Greqisë dhe Shqipërisë për kurimin e pacientëve shqiptarë në spitalet greke” shpjegoi Tushaj. Sipas Shefes së Marrëdhënieve me Jashtë për këtë vit do kenë mundësi të nxirren trajtohen në spitalet e Turqisë rreth 100 pacientë. “Dhe vetëm brenda muajit të parë të këtij viti janë dërguar rreth 18 kërkesa në Turqi dhe vetëm dy përgjigje pozitive të kthyera ndërsa pjesa tjetër është në proces” u shpreh shefja Tushaj. Vitin e kaluar në Turqi u pranuan 100 pacientë nga 150 kërkesa të dërguar. Ndërsa në spitalin “Bambino Xhuzi” në Romë nga marrëveshja pranohen rreth 5 pacientë por në vitin 2009 u dërguan 12 pacientë.
Sëmundjet
Sëmundjet, të cilat mund të kurohen vetëm jashtë janë rreth 40 të tilla. Kjo ndodh për shkak se në spitalet shqiptare nuk ka aparaturat e nevojshme për të trajtuar këto lloj sëmundjesh. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë në bazë të marrëveshjeve që ka kryer me shtetet e huaja i mundëson pacienteve trajtimin fals në spitalet e këtyre vendeve. Shefja e Marrëdhënieve me Jashtë thotë se në spitalin në Romë dërgohen vetëm 5 persona të cilët vuajnë nga leucemia. Ndërsa në spitalin në Turqi pranohen të gjithë pacientët që do të kryejnë transplantime, si të zemrës, mëlçisë dhe të organeve të tjera. Ndërsa pacientët që vuajnë nga gurët në veshka, shkrirja e gurëve bëhej në Greqi ndërsa tani mund të realizohet në Turqi. Por edhe protetizim kryhet në Turqi, por proteza e blerë nga pacienti paguhet vetë.
box
Numri i pacientëve për vitin e kaluar
Për vitin e 2009 ka pasur rreth 500 pacientë shqiptarë, të cilët i kërkuan ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë për t’u kuruar falas në Greqi dhe Turqi. Ndërsa në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara më këto dy vende përfshihet dërgimi për kurim për vetëm 200 pacientë në vit. Bazuar edhe në numrin e vendosur prej vendeve, mund të trajtohen deri në 200 raste, përkatësisht 100 në secilin vend. Ndërsa për këtë vit do të ketë mundësi të kurohet jashtë vetëm gjysma e pacientëve dhe kryesisht në spitalet në Turqi. Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë është pezulluar dhe ende nuk dihet se kur mund të rikuperohet.
Brenda 5 viteve, do të ketë vaksinë për kancerin në qafën e mitrës
Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, premtojnë futjen e vaksinës së kancerit të qafës së mitrës në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Por, kjo sipas tyre do të arrihet në 5 vitet e ardhshme. Deklarata u bë nga drejtori i Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. “Vaksina është në treg. Ndodhet në depot farmaceutike. Është paksa e shtrenjtë. Është në planin tonë që kjo vaksinë të futet në kalendarin e vaksinimit, pra të mbulohet nga fondet e shtetit. Kjo të bëhet në rangun e 3-5 vjetëve të ardhshme sepse ka një plan të caktuar për futjen e vaksinave të reja” tha Bejtja. Specialistet e shëndetësisë gjatë kësaj jave, e cila është quajtur dhe java evropiane e kancerit te qafës se mitrës, ju bëjnë apel qytetarëve të depistohen në moshë të hershme ndërkohë që tregojnë dhe disa nga faktorët që çojnë drejt kësaj patologjie. “Fillimi i jetës seksuale në moshë të re presupozoen që të kemi një prekje më të lartë nga ky virus. Pirja e duhanit, gjithashtu akuzohet si një shkaktar i këtij kanceri. Gjithashtu stili i jetës, mënyra e të ushqyerit me shumë yndyra, kur në fakt duhen ngrënë më shumë fruta dhe perime” tha Bejtja. Për fat të keq, vendi ynë vazhdon të renditet në listën e shteteve që kanë një numër të lartë të rasteve të shfaqura në vit, 25 raste të reja për 100 mijë femra dhe rreth 140 vdekje në vit.
29 Janar 2010