Hilari Klinton, mesazh urimi për Metën
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, priti dje në zyrën e tij ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers. Ministria e Jashtme bëri të ditur dje se ambasadori Uidhers i ka uruar suksese zv/kryeministrit Ilir Meta dhe e ka siguruar atë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Pas vlerësimit të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, ambasadori Uidhers i dorëzoi zotit Meta mesazhin e urimit të Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, përmes së cilit ajo shpreh mbështetjen e vazhdueshme që SHBA do t‘i japë Shqipërisë gjatë procesit të integrimit euro-atlantik, si dhe thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA dhe Shqipërisë. Nga ana e tij, mësohet se ministri Meta e ka falënderuar ambasadorin Uidhers për mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka shprehur gatishmërinë e qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve. Gjithashtu, ambasadori Uidhers vlerësoi edhe rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në rajon, tashmë edhe si vend anëtar i NATO-s, si dhe politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal.
E.Gj.
E.Gj.