Obama jep fonde për qelizat embrionale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka hequr pengesat për financimin nga fondet federale të kërkimeve të qelizave embrionale. Fondet ishin ndërprerë tetë vjet më parë nga administrata Bush duke u bazuar në parime morale. "Sot, përmes këtij urdhëri ekzekutiv që po nënshkruaj, ne po sjellim ndryshimin që shumë shkencëtarë dhe kërkues, mjekë, pacientë dhe familjarë të tyre kanë shpresuar dhe luftuar gjatë tetë viteve të shkuara. Ne do të heqim bllokadën e fondeve federale për kërkimet qelizore embrionale. Ne do të mbështesim fuqimisht shkencëtarët që punojnë në këtë drejtim. Ne synojmë që Amerika të udhëheqë botën në zbulimet e kësaj fushe", është shprehur Obama. Me anë të këtij urdhëri ekzekutiv, Obama përmbushi dhe një premtim tjetër të bërë gjatë fushatës zgjedhore. Mbi bazën e urdhërit të ri, Obama nuk do të caktojë kushte për kërkimet shkencore të këtyre elementeve gjenetike, dhe këtë gjë do t'ia lërë në dorë Institutit Nacional të shëndetësisë. Qelizat embrionale mund të kthehen në çdo qelizë të trupit dhe një ditë mund të ndihmojnë në kurimin e sëmundjeve kronke si diabeti, parkinsoni dhe alzajmeri. Këto lloj qelizash mund të përdoren në pjesë të ndryshme trupore, si në inde të trurit, në gjak, në zemër, muskuj dhe kocka. Por përdorimi i tyre përfshin shkatërrimin e embrioneve, zakonisht ato që mbeten nga kurat e fertilitetit. Mjekët shpresojnë se duke shfrytëzyzar transformimin e qelizave embrionale mund të frenojnë sëmundje të ndryshmë që lidhen me qelizat e trurit, me sëmundjen e parkinsonit, me sëmundje diabetike, apo edhe për dëmtimet në palcën e shtyllës kurrizore.