E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tsavangirai:Ishte aksident,jo sulm

Kryeministri i Zimbabves Morgan Tsavangirai është rikthyer në shtëpi në vendin e tij të trazuar pas një trajtimi mjekësor në Botsvana, pas dëmtimeve që pësoi në aksidentin automobilistik të së premtes, aksident që i mori jetën bashkëshortes së tij. Tragjedia ndodhi në një moment mjaft të vështirë për Tsvangirain, i cili ndodhet nën presion për rigjallërimin e ekonomisë, në bashkëpunim me rivalin e tij të vjetër, Presidentin Robert Mugabe. Partia e drejtuar prej Tsvangirait, Lëvizja për Ndryshim Demokratik, u shpreh fillimisht se ishte shumë shpejt për t'u deklaruar rreth aksidentit, por më vonë ata deklaruan se aksidenti mund të ishte bërë me dashje. Partia Lëvizja për Ndryshim Demokratik ka lajmëruar se do të nisë hetime më vete lidhur me këtë cështje. Kryeministri zimbabvian ishte nisur për në shtëpinë e tij në fshat në fillim të fundjavës së kaluar kur makina e tij u përplas pranë qytetit Beatriçe. "Gjithmonë ka spekulime, por në këtë rast dua t'i siguroj të gjithë se nëse ka pasur ndonjë parregullsi, është diçka që ndodh një në një mijë. Ai ishte një aksident që fatkeqsisht mori jetën e gruas time", tha vetë Tsvangirai pas kthimit në Zimbabve. Shoferi i kamionit që u përplas me makinën ku udhëtonte Tsvangirai, është në listën e atyre që do të paraqiten në një seancë gjyqësore në Kivhu, 150 kilometra në jug të kryeqytetit Harare. Shoferi Kinona Muanda pritet të akuzohet për vrasje. Zonja Tsvangirai kishte qëndruar larg fokusit të mediave, por ishte burim force për bashkëshortin e saj, kur ai në të kaluarën u akuzua për tradhëti dhe u sulmua për opozitën ndaj Mugabes. Kryeministri Tsvangirai, ishte lider kryesor opozitar në Zimbabve, por para pak kohësh ka formuar qeverinë me presidentin Robert Mugabe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›