E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kërkon bashkëpunimin e republikanëve

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka ftuar republikanët e Kongresit për një takim që është paraparë të zhvillohet nesër, që të diskutojnë reformën e kujdesit shëndetësor, përpjekja e tij më e fundit kjo për të nxitur bashkëpunimin ndërpartiak në Washington.

Por 2010-ta është vit zgjedhjesh për Kongres dhe të dyja partitë politike duket se janë më të përqendruara në përpjekjet për të fituar zgjedhjet e nëntorit për në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, në vend që të punojnë së bashku.

Polarizimi dhe beteja politike në Shtetet e Bashkuara është intensifikuar gjatë vitit të fundit.

Gjendja është përkeqësuar në atë pikë sa që disa ligjvënës kanë vendosur të mos vënë kandidaturë për zgjedhjet e nëntorit.

Mes tyre është senatori demokrat, Evan Bay nga Indiana.

“Dua shumë të punoj për popullin e Indianës. Dua të ndihmoj qytetarët tanë të arrijnë maksimumin në jetën e tyre, por nuk e dua Kongresin. Edhe në një kohë sfidash të mëdha kombëtare si tani, shqetësimet dhe problemet e popullit amerikan nuk po zgjidhen”, tha Bay.

Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se një numër i madh amerikanësh janë ose të pakënaqur ose të revoltuar nga gjendja politike në Washington.

Republikanët fajësojnë demokratët për ngecjen politike në Washington, duke thënë se udhëheqësit demokratë në Kongres injorojnë vazhdimisht propozimet e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›