E Shtunë, 31 Tetor 2026

Washingtoni kërkon negociata mes Britanisë e Argjentinës

Washingtoni ka ndërhyrë në grindjen ndërmjet Argjentinës dhe Britanisë për ishujt Folkland, duke sugjeruar se dy palët duhet të zhvillojnë dialog, për të tejkaluar dallimet.

Argjentina, e hidhëruar për shkak të fillimit të operacionit të shpimit të naftës përreth ishujve, për të cilat hyri në luftë me Britaninë në vitin 1982, ka shtuar trysninë ndaj Londrës, për të hyrë në negociata për sovranitetin mbi këta ishuj.

Britania, e cila thekson se sovraniteti i vet mbi ishujt është në përputhje me ligjin ndërkombëtarë, ka injoruar këtë ftesë për negociata, e cila mbështetet edhe nga aleatët rajonal të Argjentinës në Amerikën Latine.

“Ne kemi njohuri për këtë çështje dhe historinë e saj. Mendoj se jemi neutral kur bëhet fjalë për çështjen e sovranitetit”, theksoi zëdhënësi i State departamentit amerikan, Philip Crowley.

“Ne e njohim administratën aktuale britanike të ishullit. Por kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me dialog mes Britanisë dhe Argjentinës”, shtoi ai.

Kjo deklaratë e Crowleyt me gjasë nuk do të mirëpritet në Londër, pasi që Britania argumenton se nuk ka se për çfarë të bisedohet dhe se banorët e Ishujve Folkland, të cilët kanë nënshtetësinë britanike, e gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›