Zgjedhjet e parakohshme, më 9 qershor
Holandezët do të shkojnë në kutitë e votimit në zgjedhjet e parakohshme më 9 qershor. Kjo datë është caktuar pas rënies së qeverisë holandeze para pak ditësh, për shkak të mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të saj në lidhje me vazhdimësinë e trupave holandeze në misionin e tyre në Afganistan. Mbretëresha ka pranuar dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë, ndërkohë që Kryeministri Jan Peter Balkenede do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë si kryetar i një qeverie në minorancë, deri në datën e zgjedhjeve të parakohshme, për t’u marrë me çështje të cilat nuk presin deri në formimin e kabinetit të ri pas zgjedhjeve. Në Holandë, Mbretëresha, edhe pse ka një rol shumë simbolik në vendimmarrje, ka të drejtën për të caktuar datën e zgjedhjeve të përgjithshme, në rast kur ato janë të parakohshme. Në fakt, të gjitha partitë janë dakord për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve për të risjellë një formacion më të qëndrueshëm në pushtet. Rënia e qeverisë dhe tërheqja e trupave holandeze nga misioni në Afganistan ishte një goditje e madhe për NATO-n, e cila është duke u përpjekur që të mbledhë trupa shtesë nga vendet e saj anëtare, për t’i çuar në Afganistan, në mbështetje të strategjisë së re të luftës në atë vend. Shumë zyrtarë të lartë, mes të cilëve edhe ai amerikan, Hollbruk, e kanë cilësuar vendimin e holandezëve shumë zhgënjyes. Misioni në Afganistan, në Holandë nuk ishte aspak popullor që në fillimet e tij dhe kundërshtia erdhi duke u shtuar në mënyrë të vazhdueshme.
#