E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata turke padit shtatë oficerë

Një gjykatë në Turqi ka paditur sot edhe formalisht shtatë oficerë të lartë të ushtrisë turke, nën akuzat se para disa viteve kanë përgatitur një puç, për të përmbysur nga pushteti qeverinë me rrënjë islamike të Turqisë.

Dëshmitë e xhiruara dhe zbulimi i një kinse plani ushtarak, të hartuar në vitin 2003, me qëllim të përmbysjes së qeverisë, të hënën rezultoi me arrestimin e 50 zyrtarëve të ushtrisë, aksioni ky më gjithëpërfshirës i ndërmarrë deri me tani kundër ushtrisë turke, e cila nga viti 1960 ka përmbysur katër qeveri.

Gjykata në Stamboll urdhëroi burgosjen e katër admiralëve, të një gjenerali të armatës dhe të dy kolonelëve. Kjo gjykatë liroi dje gjashtë zyrtarë tjerë, por mbeti e paqartë se a do të përballen ata me proces gjyqësor apo jo.

Prokurorët ende janë duke marrë në pyetje me dhjetëra zyrtarë tjerë të lartë, përfshirë këtu edhe ish-shefa të flotës detare, të forcave ajrore dhe forcave speciale.

Aksioni i fundit ka thëlluar edhe më shumë tendosjet mes ushtrisë sekulare dhe të qeverisë me rrënjë islamike, të kryesuar nga kryeministri Recep Tayyib Erdogan.

Admiralët dhe gjeneralët e ushtrisë turke u takuan të martën në shtabin qendror të ushtrisë dhe lëshuan më pas një kumtesë, në të cilën theksuan se kanë diskutuar për situatën serioze, e cila është krijuar pas aksionit kundër ushtrisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›