E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kërkon hetim

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka kërkuar hetimin e fotografive të ushtarëve amerikanë para mbetjeve mortore të rebelëve të vrarë afganë, dhe dënimin e personave përgjegjës. Fotografitë u shfaqën të mërkurën në mediat amerikane.

Në kumtesën e publikuar nga shefi i Pentagonit, Leon Panetta, thuhet se “këto fotografi me asgjë nuk paraqesin vlerat e as profesionalizmin e shumicës dërmuese të njësiteve ushtarake amerikane që sot shërbejnë në Afganistan”. Veç tjerash, Panetta nënvizon edhe të se, është i tmerruar nga publikimi i këtyre fotografie në njërën nga gazetat amerikane.

Në fakt, gazeta ‘The Los Angeles Times’ botoi të mërkurën lajmin se në vitin 2010, në krahinën Zabul, ushtarët e divizionit të 81’të ajror amerikan u fotografuan para mbetjeve mortore të sulmuesve vetëvrasës afganë.

Këto fotografi ishin shkrepur në muajin shkurt të vitit 2010, kur disa ushtarë ishin dërguar në vendin ku kishte ndodhur një sulm vetëvrasës, ku ata kishin shkrepur fotografi para pjesëve të trupave të sulmuesve të vdekur.

Vetëm disa muaj më vonë, pjesëtarët e të njëjtit divizion ishin fotografuar përsëri para kufomave të kryengritësve afganë.

Kjo aferë doli në dritë në një moment tejet delikat për forcat e koalicionit, gjegjësisht menjëherë pas episodit të djegies së Kura’nit në bazën amerikane në Bagram, gjë që shkaktoi protesta të ashpra në Afganistan.

Sekretari Panetta, i cili po merr pjesë në mbledhjen e ministrive të Mbrojtjes të vendeve të NATO’s në Bruksel, theksoi se hetimi për procedurat adekuate disiplinore tashmë është duke u zhvilluar. Madje, siç precizoi ai, ushtarët që janë sjellë në mënyrë johumane sigurisht se do të përgjigjen para gjyqit ushtarak amerikan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes po ashtu deklaroi se është i prekur shumë me botimin e këtyre fotografive, të cilën gjë Pentagoni u mundua ta parandalonte, sepse ekziston rreziku real se këto fotografi tani do të mund të përdoren nga armiku, me qëllim të nxitjes së dhunës kundër ushtarëve amerikanë dhe afganë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›