Obama krerëve të BP: Fond të posaçëm për dëmin
Shefat ekzekutivë të “British Petroleum” janë takuar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Obama pas deklaratës së tij se do t’i bënte ata që të paguanin për dëmin e shkaktuar nga derdhja që prej dy muajsh e një sasie jashtëzakonisht të madhe nafte në det. Obama u ka kërkuar drejtuesve të kompanisë, e cila është shkaktarja e tragjedisë së Gjirit të Meksikës, që të ngrejë një fond për të kompensuar ata që janë prekur nga dëmi. çdo ditë, që nga 20 prilli i kaluar, hidhen në det 40 mijë fuçi nafte dhe para kësaj, gjatë shpërthimit që ndodhi në platformën e BP humbën jetën 11 persona që punonin aty. BP është akuzuar për dështim në marrjen e masave të nevojshme para dhe pas tragjedisë. Ndërsa nafta që derdhet përditë ka dëmtuar jo vetëm detin, por edhe gjithë biznesin, turizmin dhe tregtinë e vendeve të prekura. Retorika e amerikanëve sa vjen e po ashpërsohet ndaj shkaktarëve të tragjedisë dhe aksionet e kompanisë tashmë kanë rënë ndjeshëm me miliarda dollarë që janë zbritur nga shuma totale e vlerës së kompanisë. Të mërkurën, bosat e BP janë ftuar nga Obama në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar në lidhje me zgjidhjen e situatës dhe me përgjegjësitë konkrete dhe të shpejta që duhet të marrë përsipër kompania në këtë situatë alarmante. Ky ka qenë takimi i parë i Obamës ballë për ballë me drejtuesit e lartë të kompanisë që nga fillimi i rrjedhjes së naftës. “Unë do të takohem me drejtuesit e BP dhe do t’u kërkoj që të ngrenë një fond të posaçëm për të kompensuar punëtorët dhe pronarët e bizneseve që janë dëmtuar si pasojë e neglizhencës së treguar nga kompania”, ka deklaruar Obama para takimit të rëndësishëm të së mërkurës. “Dhe ky fond nuk do të kontrollohet nga BP, në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti i të gjitha veprimeve dhe të bëhen pagesat siç duhet, ndërsa llogaria të administrohet nga një palë e tretë e pavarur”, ka vazhduar Obama. Sipas njoftimeve, demokratët e Kongresit Amerikan kanë kërkuar nga kompania një shumë prej 20 miliardë dollarësh. Një përfundim i suksesshëm i takimit që është shumë kritik për Obamën, do të ishte mjaft në ndihmë të reputacionit të tij. Në Shtetet e Bashkuara, 6 në 10 amerikanë duan që BP të paguajë për të gjitha humbjet e shkaktuara nga kriza, edhe nëse kjo do të thoshte falimentim për kompaninë. Sipas një sondazhi të fundit të Gallup, 71% e amerikanëve mendojnë se Obama ka qenë tepër i butë në trajtimin e kompanisë së naftës. Ndërkohë, ambientalistët presin që Obama të ndërmarrë hapa të shpejtë legjislativë për miratimin e shumë propozimeve që reduktojnë emetimin e gazeve të dëmshëm.
#