E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzikë antike në Tiranë

Koncerti

Muzika flet me një gjuhë botërore dhe nuk ka nevojë për përkthim, se i flet shpirtit. Ishte një mesazh që solli koncerti i dy instrumentistëve të veçantë në Akademinë e Arteve të Bukura të shtunën në mbrëmje. Ata kishin ardhur nga Italia për të luajtur muzikë antike. Nuk ishin italianë, por shqiptarë që dëshmuan se arti i vërtetë i gjithë popujve dhe i gjithë shekujve është i kuptueshëm nga kushdo kur bëhet me dashuri dhe me zemër. I tillë ishte koncerti plot sukses i Jusuf Beshirit në klaviçembal dhe Perikli Pites në “viola da gamba”. Një koncert pa bujë, pa reklamë të madhe, që ishte një zbulim, përveç kënaqësisë që transmetoi. Kur dëgjuam kumbimin e këtyre instrumenteve të rrallë dhe melodinë e thellë me timbër të veçantë që ishte ekzekutuar po nga ky duet një vit përpara në hollin e TOB, apo në kishën e vjetër të Apolonisë, u interesuam të dinim më tepër se ç’ishte kjo muzikë që vinte si nga thellësitë. Dhe nga vinin këta artistë me emra shqiptarë, që luanin me kaq finesë dhe siguri një muzikë antike, siç e paraqitën, fare të panjohur, për dëgjuesit e muzikës klasike. Kurse në koncertin e javës së kaluar ata u vetëprezantuan me një libret ku u njohëm me curriculum vitae-n e secilit dhe emrat e autorëve që do të ekzekutonin. Që të bëhesh artist, duhet të kesh forcë të hekurt. Këtë zbulon kur njeh aktivitetin artistik të Jusuf Beshirit. Filloi studimin e pianos që në moshën gjashtëvjeçare, duke e vazhduar me sukses derisa u diplomua për piano në Shqipëri, nën drejtimin e prof. Nora çashkut, me vlerësim maksimal. Vazhdoi të përsoste më tej studimet në Itali. Edhe atje, në Konservatorin Xh. Verdi të Milanos, ku u specializua për organo dhe kompozicion artistik, mbaroi me maksimumin e vlerësimit dhe me diplomë nderi. Jusufi ka qenë disa herë fitues çmimesh ndërkombëtare në instrumentin e tij, klaviçembalin (instrument muzikor me tastierë me tone karakteristike, sipas vendeve ku u praktikua në Europën e shekullit XVI) etj. Sot është klaviçembalist në Orkestrën e Bashkuar të Europës dhe docent i klaviçembalit dhe instrumenteve të tjera antike të tastierës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Gëtja ka thënë se, nëse do të njohësh vërtet një krijues, duhet të shkosh në vendin e tij. Këtë rrugë ndoqën shumë artistë shqiptarë, sidomos muzikantë, që shkuan në Itali, për t’u njohur me djepin e një kulture të zhvilluar artistike që ka ndikuar prej shekujsh në qytetërimin europian. Po i shkollës italiane si Jusuf Beshiri është edhe Perikli Pite, interpretuesi me “viola da gamba” në koncertin me muzikë antike që dëgjuam. Në koncert u njohëm edhe me instrumentin që e shpjegoi vetë ekzekutuesi. Një vegël muzikore me hark, numri i telave të së cilës varionte sipas vendeve të Europës Perëndimore ku u përdor, veçanërisht në shekujt XV-XVII. Por një karakteristikë të përbashkët ka pasur kudo “viola da gamba” se ajo mbahej mbi ose midis këmbëve. Kështu e kanë quajtur italianët. Ndoshta e quajnë kështu edhe për ta dalluar nga “viola da braccio” (violë krahu). Po kush është Perikli Pite? Ai ka filluar studimet në moshë të vogël në Liceun Artistik dhe pastaj në Itali, duke u specializuar për “cello” dhe “viola da gamba”, në Konservatorin G. Rossini në Pezaro, ku ka marrë vlerësimin maksimal dhe diplomë nderi. është i vlerësuar me çmime dhe diploma nderi në disa konkurse. Në Akademinë Marchigiana të muzikës antike në Urbino është docent në violonçel dhe “viola da gamba”. Repertori përmbante autorë kryesisht të shekullit XVI-XVII. Ne që kemi njohur muzikë të shekujve të ndryshëm, kryesisht të shkollës italiane dhe asaj të Shopen – List, nuk na kishte rënë rasti të njihnim muzikën antike të Europës, që ka kumbuar në kishat e qyteteve europiane në Mesjetë. Prej veprave që u luajtën në koncert morëm mesazhin se ajo që e bën fisnike një vepër arti, është pavdekësia. E tillë ishte “Gavotte avec 6 double e Ramo” (1683-1764), që ka qenë klavinçelist, me këtë vepër që solli emocione dhe ndjenja dramatike me brishtësinë e ritmikës. Apo “Suite in G” nga libri i pestë i Marin Marais (1656-1728), kompozitor dhe violinist francez, që ka lënë pesë libra me një muzikë interesante edhe sot. Plot harmoni dhe kumbim ishte muzika e Bahut (1685-1750) te Sonata “BWV 1028”, e luajtur me pasion nga Jusuf Beshiri. E këndshme ishte “Fandango e Soler” (1625-1688), sepse ashtu si dhe muzika e “Kapitenit Hume” (1579-1645) nga libri “Musical Humor”, na treguan se ka pasur edhe momente lirike dhe humoristike të shprehura në këtë muzikë antike, që mund të mendohej më shumë e karakterit kanonik. Po pse luhet ende sot një muzikë e tillë që mund të duket e vjetruar? Dhe përgjigjja vjen përsëri me një pyetje: A mund të mos ruhen afresket biblike të Mikelanxhelos? Po ka edhe një arsye tjetër, se me raste kjo muzikë, si çdo shkallë që të përgatit për t’u ngjitur më lart, ka shërbyer si model për shekujt e ardhshëm. Ndoshta mund të themi sot se tokatat, fantazitë, fugat e Bahut për organo, mund të kenë ndikuar në harmoninë, dinamikën, kontrastet e temave, një shekull më vonë, në veprën e Bethovenit. Me këtë rast sjell në mend fjalët e Italo Kalvinos: “Një vepër klasike ka gjithmonë diçka për të thënë”. Artistë të mirë janë ata që përjetojnë ato ndjenja që duan t’u japin dëgjuesve. Këtë dëshmoi koncerti i mjeshtërve në klavinçembal Jusuf Beshiri dhe në “viola da gamba”, Perikli Pite. Falë lojës së tyre të përkushtuar, ne zbuluam një “muzikë të re” – muzikën antike. Po më mirë vonë, se kurrë…

Dr. Shk. Tatjana Haxhimihali

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›