Obama letër Jahjagës për 17 shkurtin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në urimin e Presidentit Obama i cili është postuar në ueb-faqen e presidencës së Kosovës thuhet:
Ju përcjell urimet më të përzemërta juve dhe popullit të Kosovës me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit tuaj, më 17 Shkurt.
Viti që kemi lënë pas ka qenë në veçanti i rëndësishëm për Kosovën. Vendi juaj ka bërë hapa historikë në realizimin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Përderisa mbetet ende punë për të bërë, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ekonomi, si dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithëpërfshirës dhe shumëkombësh. Gjithashtu, janë bërë përparime në dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjët tuaj dhe i gjithë rajoni.
Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqtë tuaj të ngushtë dhe partner dhe mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar. E admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vitet e para të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë bashkë me ju për më shumë të arritura në vitet në vijim.
Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl i dërgoi një telegram urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Në emrin tim dhe në emër të gjithë popullit turk, ju uroj nga zemra Ju dhe gjithë popullin e Kosovës, me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kam besimin e plotë se marrëdhëniet tona vëllazërore dhe miqësore, të forcuara me lidhjet tona të thella historike, kulturore dhe njerëzore, me përpjekjet tona të përbashkëta, do të forcohen edhe më tej në të ardhmen. Turqia, sikurse në të kaluarën, do të vazhdojë t’i përkrahë vëllezërit e motrat e saj kosovare, në synimin e tyre për një Kosovë shumëkulturore, demokratike dhe të zhvilluar”, thuhet në urim.
“Përfundimi i procesit të pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të vitit 2012 ka treguar konkretisht përparimin e Kosovës prej kohës së shpalljes së pavarësisë së saj. Jemi të kënaqur për këtë përparim. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj edhe një herë rëndësinë që ia atribuojmë ekzistencës së Kosovës stabile, e cila ec me hapa të vazhdueshëm drejt integrimit evropian dhe në institucionet euroatlantike, si një partnere e besueshme e komunitetit ndërkombëtar, që paraqet një faktor të rëndësishëm paqeje dhe mirëqenieje të qëndrueshme në rajon”, thuhet ndër të tjera në telegramin e urimit të presidentit turk./Indeksonline/