E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama mban sot fjalimin në kongres për shëndetësinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama do të mbajë sot një fjalim drejtuar dy dhomave të Kongresit me shpresën për të bindur ligjvënësit të pranojnë idetë e tij mbi reformën në kujdesin shëndetësor. Në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv ABC, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se programi i tij do të nxisë konkurencën mes kompanive private të sigurimeve.
Nga ana tjetër, kritikët shprehen se plani i Presidentit amerikan synon të vendosë sistemin e sigurimeve shoqërore nën kontrollin e qeverisë.
Një ditë më parë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se me fjalimin e tij në Kongres, Obama do të hedhë poshtë zërat mbi të ashtuquajturat “komisionet e vdekjes” të cilat do të vendosnin se kush kualifikohet për kujdes shëndetësor, si dhe frikën se ky program mund të rrisë defiçitin e buxhetit federal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›