E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, mes pritjeve dhe mundësive

1.

Krijuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (të njohur si baballarët e kombit amerikan) si dhe pasuesit e tyre krenohen se në fund të shekullit 18 kanë krijuar një shtet mbi principet e luftës kundër absolutizmit, lirive politike dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të u krijuan në periudhën kur politika ndikohej nga parimet iluministe, nga republikanizmi dhe liberalizmi politik, që shtroi rrugën për të shndërruar të drejtat e njeriut në një moto politike. Ishte pra kjo periudha që rezultoi me Revolucionin Amerikan (1776) dhe mbi të gjitha me Revolucionin Borgjez Francez (1789), që shtruan rrugën për t‘i dhënë fund epokës feudale dhe i hapën rrugën marrëdhënieve kapitaliste në ekonomi dhe si rrjedhim demokracisë liberale, si zgjatim politik i këtyre marrëdhënieve në ekonomi. Sidoqoftë as në SHBA dhe as në Francë, kjo demokraci, të drejtat e njeriut dhe liritë politike, nuk ishte gjithëpërfshirëse. Ashtu si në demokracinë e Athinës, që ende merret si modeli teorik më i mirë i saj, demokracia ishte selektive, ishte demokraci e pakicës. Në atë "demokraci", edhe për një kohë nuk do të ketë vend, për të varfrit, për gratë, e të mos flasim për skllevërit.

Këto marrëdhënie të reja shoqërore, ndonëse e kanë shtruar rrugën për eliminimin e skllavërisë dhe për barazinë racore, do të duhen përpjekje, luftëra, konflikte politike, revolucione, për t‘i eliminuar ato nga sistemi juridik (e jo edhe nga mendësia politike dhe vetëdija shoqërore). SHBA-ve për të zhdukur skllavërinë do t‘i duhet një luftë e ashpër civile (1861-1865) e cila për pak sa nuk e ndau në dysh vendin. E më pas në vitet ‘50 dhe ‘60 të shekullit të kaluar, një betejë e brendshme e fuqishme politike, e njohur si lëvizja për të drejtat civile, e udhëhequr nga lideri zezak Martin Luter King, për t‘i bërë të gjithë qytetarët e SHBA-ve të barabartë para ligjit, pa marrë parasysh prejardhjen racore. Pa dyshim, lëvizja për të drejta civile në SHBA ishte kurorëzim i një beteje të gjatë për të drejta të barabarta para ligjit të të gjithë qytetarëve amerikanë dhe fundi i diskriminimit racor në sistemin juridik amerikan.

2.

Përkundër këtyre fitoreve, ndarja raciale ende mbeste një faktor i fuqishëm në politikën dhe jetën shoqërore amerikane. Në këtë kuadër, fitorja e Barack Obamës në betejën për kryetar të SHBA-ve është një moment kthese në politikën e brendshme amerikane. Ajo mund të thuhet se shënon atë që shumë komentatorë amerikanë e kanë thënë pas fitores së Obamës si "fundin e luftës civile amerikane". Që nga fillimi i fushatës elektorale brenda partive përkatëse, atëherë kur Hillary Clinton paraqitej nga media amerikane si e pamposhtshme, jo vetëm në kampin demokrat, por edhe në ndeshjet me republikanët për kryetar, Obama iu qas krejt ndryshe fushatës zgjedhore. Larg ndjenjës së inferioritetit, larg diskursit të viktimës që politikanët zezakë e kanë pasur në jetën politike amerikane, diskurs ky i përzier pastaj natyrisht edhe me një agresivitet e frustrim racor në anën tjetër, Obama iu ka qasur fushatës si i barabartë. Çështjet racore nuk i ka pasur në fokus të fushatës, por vetë kandidimi i tij i ka dhënë debatit për racën një ngjyrim dhe zjarr tjetër. Për herë të parë me vetë fushatën e tij, i ka bërë zezakët amerikanë të ndjehen të barabartë në shoqërinë amerikane. Dhe kjo taktikë e tij, e përcjellë edhe me rrethana të tjera të favorshme (antipatia në rritje ndaj politikave të administratës së Bushit dhe mbi të gjitha kriza ekonomike), e bën që ai, duke e ndjerë veten të barabartë ndër të barabartët, edhe t‘i fitojë zgjedhjet.

3.

Kjo fitore në vetvete është një revolucion, ndonëse vetë Obama dhe politikat e tij nuk do të kenë karakter revolucionar. Pse? Kjo fitore është revolucionare sepse shënon fitoren përfundimtare mbi ndarjen raciale në një shoqëri që jo vetëm është e ndarë thellë në baza racore, përcjellë kjo edhe me paragjykime të shumta, por e cila vetëm para dyzet vjetësh ka pasur ende ligje raciste. Është revolucionare sepse po frymëzon dhe do të frymëzojë ndryshime në shoqëritë e ndara raciale, duke përfshirë edhe shoqërinë amerikane. Është revolucionare, sepse në shoqërinë amerikane, për herë të parë, raca nuk ishte faktor vendimtar për fitoren e kandidatit presidencial, por politikat e tij dhe shpresat që ngjallën ato. Kjo fitore do të frymëzojë të diskriminuarit për të luftuar për të drejtat e tyre.

Do të jetë shembull që do të rrisë dinjitetin e do të frymëzojë njerëzit në kontinentin afrikan për të ndërruar realitete që me shekuj e kanë mbajtur këtë kontinent në shtypje, varfëri, e totalitarizëm. Por Obama nuk do të arrijë të bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor në politikën amerikane, as në atë të brendshme e as në atë të jashtme. Është vetë struktura politike dhe ekonomike e shoqërisë amerikane, që krijon kufizime në këtë drejtim. Është e qartë se presidenca e Bushit po i lë një trashëgimi jo për t‘u lavdëruar në planin e brendshëm ekonomik, por edhe në atë të jashtëm (lufta në Irak, Afganistan, kriza në Lindjen e Mesme, oponencat e shteteve të ndryshme nga vendet e Amerikës së Jugut, marrëdhëniet me Iranin, si dhe ftohja evropiane nuk mund të konsiderohen si trashëgimi pozitive). Dhe nuk ka dyshim se në këtë kuadër, Obama kryesisht do të përqendrohet në trajtimin e krizës financiare, që lehtë mund të shndërrohet në një krizë të madhe ekonomike dhe në përmirësimin e imazhit të SHBA-ve në botë.

Sidoqoftë në politikën amerikane, më qartë se në politikat e shteteve të tjera, pasqyrohet interesi ekonomik në projektimin e politikave strategjike si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Administrata të ndryshme mund të ndërrojnë qasjen në realizimin e këtyre objektivave, por objektivat vetë nuk ndryshojnë aq lehtë. Thënë më thjeshtë, interesat amerikane në Lindjen e Mesme do të mbesin të njëjta, pa marrë parasysh se administrata e Obamës, ashtu siç edhe po paralajmërohet mund ta mbyllë burgun në Guantanamo, ku mbahen në kundërshtim me të gjitha parimet themelore të të drejtave të njeriut të dyshuarit për terrorizëm, mund të tërhiqet nga Iraku (këtë hap e ka bërë veç administrata e Bushit), apo mund të nxisë një raund të ri të bisedimeve palestinezo-izraelite. Edhe në raport me shqiptarët në përgjithësi dhe me Kosovën në veçanti, politika Obamës nuk do të pësojë ndonjë ndryshim thelbësor. Koordinatat e interesave amerikane në regjion janë rishkruar që pas vitit 1990 dhe ato nuk kanë gjasa të ndërrohen në të ardhmen e afërt. Na mbetet ne të përcaktojmë interesat tona më qartë (duke i pasur parasysh edhe interesat amerikane dhe interesat e fuqive të tjera sidomos BE-së dhe Rusisë) dhe të bëhemi faktor më aktiv në skenën e politikës ballkanike. Si të tillë, do të mund të ishim partner më serioz në marrëdhëniet tona me aktorët ndërkombëtarë, e në këtë drejtim edhe me administratën e re amerikane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›