E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Oriana ndiqte Merlinin

Dihet që Oriana Falaçi nuk e ka pasur kurrë fiksim gazetarinë. Që kur ishte e vogël, kishte prirje për shkrimtare. Ish e dashuruar pas fjalëve që pothuajse në mënyrë natyrale "rridhnin si pika uji dhe qëndronin mbi fletë". Falaçi e filloi gazetarinë në moshë të vogël, kur ishte 17 vjeçe, për të arritur aty ku dëshironte, te letërsia. Dhe kështu, pas një vit studimesh, në 1954-ën filloi punë në gazetën e përjavshme "Europeo". Në atë univers të vogël gazete, Oriana krijoji menjëherë miqësi të reja, ndryshe nga ato që kishte pasur më parë: për t‘u çjerrë maskën "të pandehurve" është e nevojshme që të ndash me ta çdo gjë, të jetosh të njëjtën jetë, të frekuentosh të njëjtat lokale, të kesh të njëjtin luks dhe të bësh të njëjtat kapriço. Drejtori i gazetës, që në atë kohë ishte Arrigo Benedetti, i kërkoi t‘i tregonte anën e panjohur të jetës së vip-ave. Kështu, në dimrin e vitit 1955, Falaçi u nis menjëherë për në Los Anxhelos, për të zbuluar më nga afër jetën e yjeve amerikane. Ajo filloi të shkonte gjithnjë e më shpesh në Hollivud, për të kuptuar më mirë mekanizmat e fshehta dhe për të parë nga afër personazhet që lëvizin kaq lirshëm. Në 1958-ën arriti të bënte realitet ëndrrën e saj, duke botuar librin "Shtatë mëkatet e Hollivudit", një tregim i jashtëzakonshëm për industrinë e kinemasë dhe miteve të saj.

Falaçi-Mata Hari (kështu e ka quajtur Orson Welles, për bukurinë, mendjemprehtësinë, aftësinë për të përgjuar dhe për të kaluar pa u vënë re) tregon në librin e saj pamjen misterioze të njerëzve të famshëm, të cilët kërkojnë të duken të veçantë, por që shpesh portreti i tyre nuk korrespondon me atë të vërtetin. Një nga aktoret më të përfolura në libër është Merlin Monro, të cilën Falaçi nuk arriti ta takonte. "Kush thotë Hollivud, mendon menjëherë për Merlin Monronë, por është e kotë që në këtë libër të kërkonin një portret ose intervistë me aktoren. Nuk ka asnjë. Kam qenë në Hollivud më shumë se një herë, kam hyrë në shtëpitë e divave, kam ngrënë me ta, kam bërë banjë në pishinat e tyre. Kam parë lotët e tyre, kam ndjerë gënjeshtrat dhe krenarinë, por nuk kam folur kurrë me zonjën ‘Jean Mortenson‘, ose në art Merlin Monro". Në libër Oriana shkruan se e ka kërkuar shumë Merlin Monronë, madje për një kohë të gjatë. Ka takuar të gjithë yjet e atyre viteve dhe Hollivudit, e u ka bërë një portret të saktë, special, por pa harruar që, siç thoshte miku i saj shkrimtar, Bill: "Hollivudi nuk ekziston, është një formë mendore, një mirazh. Hollivudi nuk shihet me sy, por me dëshirë, zili, magjepsje".

Tentativa për të takuar Monronë

Aventura ime nisi në Hollivud mëngjesin e 9 janarit të vitit 1956, kur u nisa për në Shtetet e Bashkuara me një valixhe të mbushur me këmisha burrash. Ishte hera e parë që vizitoja Amerikën. Do të qëndroja disa ditë në Hollivud dhe Nju Jork, për një arsye të vetme, të takoja Merlin Monronë. E dija që prej disa muajsh se të takoje aktoren papritur ishte bërë pothuajse e pamundur, por për këtë nuk e vrisja shumë mendjen. Kisha arritur të intervistoja Sorajan në pallatin e saj mbretëror në Teheran gjatë ditëve shumë të tensionuara, gjithashtu kisha folur me Pete Taunsend në Bruksel gjatë periudhës kur ai u fshihej gazetarëve si një mace e trembur, dhe mendoja se fundja Merlin ishte thjesht një divë.

Besimi im ushqehej nga 12 këmishët që Pepi Lenzi, një aktor italo-amerikan, mi kishte dhënë në Romë për t‘ia çuar regjisorit Zhan Niguleskos. I kisha sistemuar në valixhe me shumë devotshmëri dhe gjatë gjithë udhëtimit, ndërsa pasagjerët e tjerë shijonin udhëtimin mbi Atlantik, unë shqetësohesha për këmishët e regjisorit. Mendoja se mos ishin zhubrosur. Isha e bindur se i gjithë suksesi i intervistës me Monronë varej nga regjisori. Pasi arrita në Nju Jork, kontrollova menjëherë valixhen dhe kur pashë se këmishët nuk ishin zhubrosur, mendova se ishte një motiv i mirë për t‘i telefonuar regjisorit. Kështu bëra. Fjala "këmisha" pati një efekt magjik. Nga ana tjetër e receptorit, Zhan më tha se mezi prite të më takonte, kështu që më ftoi menjëherë të drekonim së bashku në shtëpinë e tij në "20th Century Fox". 30-minutëshi për të arritur në destinacionin e duhur, mu duk më i gjatë se i gjithë udhëtimi me avion.

Zhan Nigulesko më priste në verandën e shtëpisë me një buzëqeshje të ëmbël dhe më falënderoi nga zemra. Pa më pyetur se çfarë do të pija më pas, më ofroi verë franceze. Duke ngrënë, më foli për jetën e tij, për portretet që bënte kur ishte një piktor i varfër, për këpucët, rrobat, katër gratë që kishte ndarë para se të bëhej i pasur. Ishte i bindur se unë kisha ardhur në Hollivud për të intervistuar atë dhe nuk kisha kurajë ta zhgënjeja. Kur po përfundonim drekën, vendosa t‘i flisja për Merlin Monronë. Nigulesko e kishte drejtuar në filmin "Si të martohesh me një milioner". Nisa ta pyesja se çfarë tipi ishte. "Një 29-vjeçare e këndshme, mu përgjigj ai. Natyrisht që nuk e meriton suksesin që ka, por është shumë ambicioze dhe e përkushtuar në punë. Nuk është e trashë, ashtu siç e tregojnë. Kur të tjerët flasin, ajo i dëgjon gjithë sy e veshë, sikur thonë gjëra të mrekullueshme. Kur e pyesin, nuk flet, sepse ka frikë mos këpusë ndonjë mufkë. Ndonjëherë i merret goja. Nuk i përgjigjet kurrë një pyetjeje pa u këshilluar më parë me një shok. Një herë, një reporter e pyeti se cila ngjyrë i pëlqente dhe ajo iu përgjigj: ‘Prit një moment‘. Erdhi tek unë dhe më tha: ‘Zhan, cila është ngjyra që pëlqej unë‘? ‘Mirë, i thashë, nuk e ke pyetur ndonjë herë veten‘? Dhe ajo m‘u përgjigj: ‘Jo, ma thuaj ti që je piktor‘. ‘Mirë, iu përgjigja, do të zgjedh të kuqen‘. ‘E pse më pëlqen e kuqja?‘, pyeti ajo. ‘Sepse është e dhunshme. Kur e sheh, të ngjan ty‘. Dhe ajo iu përgjigj reporterit se pëlqente të kuqen, sepse ishte e dhunshme si ajo".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›