E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, njeriu më i fuqishëm në botë

Pushteti është cilësuar në shumë mënyra. Afrodiziak. Korruptues. Dashnore. Violinë. Por, natyra e tij e vërtetë mbetet e paqartë. Një kryetar shteti ushtron një lloj tjetër të pushtetit sesa një figurë religjioze. A mund të krahasohet vërtet ndikimi i një gazetari me atë të një terroristi?

Duke hartuar listën tonë të parë të njerëzve më të fuqishëm në botë, ne jemi përballur me këto pyetje para se ta definonim pushtetin në katër dimensione. Së pari kemi shtruar pyetjen se a ka një individ ndikim mbi një numër të madh të njerëzve? Papa Benedicti, i cili rreshtohet në vendin e 11-të të listës tonë, është udhëheqës shpirtëror i mbi 1 miliard shpirtrave apo i një të gjashtës së popullatës së botës.

Më pas vlerësuam burimet financiare, të cilat kontrollohen nga këta individë. Më pas kemi shqyrtuar se a janë ata të fuqishëm në disa sfera të ndryshme. 67 individët, të përfshirë në listën tonë, ndikimin e tyre e ushtrojnë në mënyra të ndryshme dhe në disa fusha. Të marrim si shembull kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi (i rreshtuar në vendin e 12-të në listë), i cili është politikan, ka monopol në media dhe është pronar i ekipit të futbollit, A.C Milan.

Në fund kemi insistuar që të përzgjedhurit tanë duhet të ushtrojnë në mënyrë aktive këtë pushtet. Ingvar Kamprad, ndërmarrësi 83 vjeçar, themelues i firmës IKEA dhe njeriu më i pasur në Europë, ishte kandidat për tu përfshirë në listë, por ai nuk u përfshi, ngase nuk e ushtron pushtetin e tij. Në anën tjetër, kryeministri autokrat i Rusisë, Vladimir Putin (i rreshtuar në vendin e tretë) tuboi pikë, ngase ai ushtron ndikimin e tij duke arrestuar oligarkët, duke invaduar shtetet fqinje dhe herë pas here duke e ndërprerë furnizimin e Europës Perëndimore me gaz.

Për të llogaritur rreshtimin përfundimtar, pesë redaktorë të revistës Forbes pozicionuan që të gjithë kandidatët në të katër dimensionet e pushtetit.

Unanimisht, me një epërsi të lartë, si personi më i fuqishëm në botë në sipërfaqe doli presidenti i SHBA-së, Barack Obama. Por, kishte edhe disa befasi. Paraardhësi i Obamës, George Bush, nuk arriti të kualifikohet për të hyrë në listë, ndërsa paraardhësi i tij demokrat, Bill Clinton, u rreshtua në vendin e 31-të, duke u rreshtuar para disa kryetarëve dhe kryeministrave aktualë të shteteve.

Ky rreshtim ka për qëllim të jetë fillimi i debatit e jo përfundimi i tij. A është Dalai Lama (në vendin 39-të) më të vërtetë më i fuqishëm se presidenti i Francës, Nicola Sarkozy (i cili rreshtohet në vendin e 56-të)?

Këto janë çështje për të cilat mund të debatohet.
Si femra më e fuqishme në këtë listë është përfshirë kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila rreshtohet në vendin e 15-të. Ajo që befason më së shumti është pozita e udhëheqësit të rrjetit terrorist Al Qaida, Osama bin Laden, i cili rreshtohet në vendin e 37-të, para burrështetasve të ndryshëm siç janë Dimitri Medvedev dhe Benjamin Netanyahu.

Në vendin e 67-të, pra në vendin e fundit të listës rreshtohet presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez.
(Forbes)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›