Obama nuk përjashton opsionin ushtarak ndaj Iranit

Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të sulmojnë Iranin për ta penguar nga zhvillimi i armëve bërthamore, por ai theksoi se “bisedat e shumta për luftën” vetëm sa e kanë ndihmuar Iranit dhe kanë rritur çmimin e naftës.
Duke folur para një grupi të fuqishëm lobimi pro-izraelit, Obama i apeloi edhe njëherë Izraelit, që t`iu japë kohë sanksioneve të japin efektin e tyre.
“Kam thënë se sa i përket pengimit të Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, nuk heq asnjë opsion nga tavolina dhe kur them këtë, e mendoj vërtetë. Kjo përfshin të gjitha elementet e pushtetit amerikan: përpjekjet politike që kanë për qëllim izolimin e Iranit; përpjekjet diplomatike për të ruajtur koalicionin tonë dhe për të siguruar se programi iranian është duke u monitoruar; përpjekjet ekonomike për të vendosur sanksione dhe po, përpjekjet ushtarake për t’u përgatitur për të paparashikuarën”, tha Obama.
Më herët, ministri i Jashtëm i Izraelit tha se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për ta ndalur dhunën në Siri, tregon se nuk mund ta mbrojë as Izraelin.
Avigdor Liberman tha se paaftësia e liderëve ndërkombëtarë dhe punëtorëve humanitarë për të ndalur apo zbutur “vrasjet sistematike të civilëve të pafajshëm” në Siri "i sfidon të gjitha premtimet e komunitetit ndërkombëtar se ata janë përgjegjës për sigurinë tonë”.
Izraeli është i shqetësuar se Irani mund të jetë duke zhvilluar armë bërthamore, të cilat do t`i përdorte kundër shtetit izraelit.
Irani këmbëngul se reaktorët bërthamorë të tij janë për kërkime mjekësore dhe për energji.
Ndërkohë, Obama takon të hënën në Uashington kryeministrin izraelit Benjamin Natanjahun.