Obama paralajmëron Damaskun për armët kimike

Ende larg mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake
Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin ende kohë për armët kimike siriane. Burime të inteligjencës amerikane kanë konfirmuar kohët e fundit se regjimi i Damaskut ka përdorur armë të ndaluara kundër civile. Por bëhet fjalë për informacione që mbeten akoma për tu vërtetuar. Presidenti amerikan Barak Obama në përfundim të një takimi me mbretin Abdullah të Jordanisë ka pranuar se nëse informacionet konfirmohen atëherë do të ndryshonin shumë gjëra. Obama ka thënë se përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë kundër një popullsie tejkalon çdo normë ndërkombëtare. Por në të njëjtën kohë ai është shprehur se ndërhyrja ushtarake mbetet një opsion ende i largët. Edhe kryeministri britanik Dejvid Kamerun është treguar i matur duke kujtuar se në Irak nuk u gjendën asnjëherë armët e shkatërrimit në masë. Ai ka shtuar se në vend të një ndërhyrjeje ushtarake duhet të bashkëpunohet me aleatët francezë dhe amerikane si dhe me vendet e gjirit për të mbështetur opozitën siriane. Kjo e fundit ka kërkuar disa herë një ndërhyrje vendimtare të perëndimit kundër regjimit të Assad.