E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama për vizitë historike në Birmani

Në një vizitë historike të një presidenti amerikan në detyrë, Barack Obama ka ofruar mbështetjen për Birmaninë (të njohur edhe si Mianmar), vendin aziatik, të dalë nga regjimi disa-dekadësh ushtarak.

“Ju na keni dhënë shpresë”, ka deklaruar Obama para një audience në Universitetin e Rangoon (të njohur edhe si Yangon), derisa e ka ofruar “dorën e miqësisë” dhe përkushtimin afatgjatë të SHBA-së.

“Historia ka treguar se qeveritë e popullit dhe nga populli, janë shumë më të fuqishme në përhapjen e përparimit. Ky është partneriteti që po e kërkojmë me ju”, ka thënë Obama.

Megjithatë, ai ka thënë se qeveria e re civile duhet ta ushqejë demokracinë.

Obama të hënën ka vizituar lideren opozitare, Aung Suu Kyi, në shtëpinë e saj në Rangoon, ku ajo ka kaluar afër 15 vjet nën arrest shtëpiak, duke e quajtur atë, një “ikonë të demokracisë”.

Obama i tha Suu Kyi-së se Washingtoni mbështet fuqishëm reformat demokratike të Birmanisë.

“Qëllimi ynë është që të ruajmë këtë moment të demokratizimit. Kjo përfshin institucione të besueshme qeverisëse, vendosjen e sundimit të ligjit, përfundimi i konfliktit etnik dhe sigurimi se njerëzit e këtij shteti kanë qasje në edukim, kujdes shëndetësor dhe mundësi ekonomike”, u shpreh Obama.

Liderët e Birmanisë kanë ndërmarrë reforma të gjera, që kanë për qëllim përmirësimin e të drejtave të njeriut, që janë shtypur për dekada nga regjimi ushtarak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›