E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon apelon për armëpushim në Gazë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Gazës, në konfliktin që ka hyrë në ditën e gjashtë.

Ban Ki Moon shtoi se do të udhëtojë në Kajro të Egjiptit për t’iu bashkuar bisedimeve për paqen. E diela ka qenë dita më e përgjakshme e konfliktit me Izraelin, që ka shënjestruar shtëpitë e militantëve të Hamasit.

86 palestinezë dhe 3 izraelitë janë vrarë në gjashtë ditë pas sulmeve detare dhe ajrore të Izraelit ndaj Gazës dhe raketave të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit.

Militantët nga Gaza kanë vazhduar të shkrepin raketa drejt Izraelit, teksa janë raportuar të plagosur në qytete, përfshi Ashkelonin dhe Ofakimin.

Burime nga të dyja palët thonë se përpjekjet për të arritur një armëpushim po vazhdojnë.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi po vazhdojnë. Zyrtarë të sigurisë nga Egjipti kanë thënë se një zyrtar izraelit mbërriti në Kajro për bisedime, por Izraeli nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë ngjarje.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, tha se “ai mbështetë të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur”.

Netanyahu tha gjatë një mbledhje të kabinetit tha se ushtarët izraelitë janë të gatshëm “për çdo lloj aktiviteti të mundshëm”.

Presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi, tha se një invazion i Izraelit në Gazë do të kishte “pasoja serioze”, duke shtuar se Egjipti nuk do ta pranonte kurrsesi atë.

Liga Arabe, e cila u mblodh në një seancë emergjente në Kajro, do të dërgojë të martën një delegacion të ministrave të Jashtëm në Gazë.

Zyrtarët mjekësore palestinezë kanë thënë se të paktën 10 persona të tjerë janë vrarë në sulmet e reja ajrore izraelite në Gazë.

Ushtria izraelite tha se aeroplanët luftarakë të saj kanë kryer rreth 80 sulme gjatë natës.

Ushtria izraelite tha se sulmet kishin në shënjestër ndërtesat, ku besohet se janë vendosur zyrtarë të lartë të Hamasit.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, tha se ajo po bisedon me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe liderët rajonalë të vendeve arabe.

“Jam shumë e shqetësuar me humbjen e jetëve dhe kam thënë vazhdimisht se na duhet një zgjidhje afatgjatë në Gazë. Kam qenë tri herë atje dhe duhet të gjejmë një mënyrë se si të ndalim sulmet e dhunshme raketore dhe të sjellim paqen dhe sigurinë për popullin e atij rajoni”, tha Ashton.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje, por kërkoi përmbajtje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›