E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribotohet pas 30 vitesh

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” risjell kryeveprën botërore nga Viktor Hygo. Romani vjen sërish në përkthimin e Misto Treskës.

Përpara se ta shihnim Parisin, ne e njihnim atë. Që nga kopshtet e gjelbëruara, rrugët karakteristike, te skutat e errëta, rrugët me baltë, kanalet e shkarkimeve. Këtë privilegj shqiptarët e patën edhe atëherë kur diktatura mendonte se u kishte fshehur botën. Një privilegj që mund ta krijonte vetëm letërsia, Hygoi, “Të mjerët”.

Tashmë numërohen plot 150 vjet që kur kryevepra e shkrimtarit të madh francez, Viktor Hygo, doli në dritë në Bruksel. Gjatë një shekulli e gjysmë, ky roman-epope është botuar me qindra herë në të gjitha gjuhët e botës. Plot 30 vjet pas botimit të parë shqip, në vitin 1982, shtëpia botuese “Bota Shqiptare” e sjell këtë libër përsëri për lexuesin. Botuesit nuk iu futën aventurës ta sillnin atë nën një përkthim tjetër.

“Askush nuk mund ta përkthente më mirë se Misto Treska”, thotë botuesi Kujtim Gjonaj. Kështu që edhe ky ribotim, (që mban në kopertinë tre personazhet kryesorë, të interpretuar nga aktorët Hugh Jackman, Russell Crowe e Amanda Seyfried) mban sërish firmën e njërit prej përkthyesve më të mirë shqiptarë, Misto Treska, i cili ka bërë të flasin shqip jo vetëm Hygoin, por edhe Stendalin, Didëroin, Mopasanin, Elyarin etj. Për botuesit nuk pati asnjë ngurrim, edhe pse bëhet fjalë për një libër voluminoz e me kosto. “Të mjerët” e Hygoit nuk kanë njohur plakje.

“Fakti që kjo vepër madhore u ka qëndruar kohës dhe kritikës, që ajo lexohet me ëndje dhe interes; që autori i saj gëzon respekt dhe dashuri në të gjitha vendet e botës, është një dëshmi e gjallë e vlerave të saj të mëdha ideo-artistike, e vlerave të saj njohëse, edukative dhe estetike”. Idenë e romanit “Të mjerët” Viktor Hygoi e ka bluar për afro 30 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe ai ka mbledhur materiale faktike mbi ngjarjet dhe personazhet, ka studiuar shumë gjëra në vend dhe përmes dokumentesh historike, ka mbajtur shënime të shumta.

Pas disa vitesh që iu deshën për ta shkruar, romani u dorëzua në shtyp në 1862. Kur themi “Të mjerët”, na del menjëherë përpara sysh figura e personazhit kryesor të kësaj vepre, Zhan Valzhanit, por edhe e Kozetës, Fantinës, Gavroshit e shumë të tjerëve. Romani “Të mjerët” ndahet në pesë pjesë të mëdha: “Fantina”, “Kozeta”, “Mariusi”, “Idili i rrugës Plyme dhe epopeja e rrugës Sen-Dëni” dhe “ZhanValzhani”, ku çdonjëra pjesë është baras me një roman të zakonshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›