E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama refuzon lutjen e Sarkozisë për mosekstradimin e Polanskit

Autori i Lajmit: Redaksia

Uashington – Regjisori i famshëm, Roman Polanski do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga forcat e armatosura, pasi është refuzuar një ofertë për të ndalur procesin kundër tij. Vetë presidenti francez, Nikolas Sarkozi i ka dërguar një letër të shkruar me dorë homologut të tij amerikan, Barak Obama, ku i kërkon që producenti të mos futet në burg. Por kjo lëvizje ka dështuar, sepse shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk denjoi as ta lexonte letrën. Avokatët e regjisorit 76-vjeçar aplikuan që çështja kundër Polanskit të arkivohej në mungesë të tij, çka do të thoshte se ai mund të qëndronte në arrest shtëpiak në Zvicër. Por një gjykatë apeli në Kaliforni e hodhi poshtë një kërkesë të tillë, duke i hapur rrugë procesit të ekstradimit. “Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, Polanski pritet të ekstradohet në SHBA nga policë federalë në shtator”, - tha një burim gjyqësor zviceran. Ndërhyrja e zotit Sarkozi është zbuluar nga e përjavshmja politike franceze, “LExpress”. Ajo thotë se letra e Sarkozisë iu dorëzua Obamës gjatë takimit të sigurisë bërthamore në Uashington, një javë më parë. Por një burim nga Shtëpia e Bardhë thotë se zoti Obama as që ka denjuar ta lexojë letrën, sepse ajo nuk ishte dorëzuar sipas protokollit diplomatik, por personalisht. 76-vjeçari regjisor është akuzuar më 1977 për ngacmime seksuale ndaj 13-vjeçares Samantha Geimer. Roman i ka hedhur vajzës minorene një pilulë në shampanjë dhe e ka përdhunuar në shtëpinë e aktorit Xhek Nikolson. Polanski u shpall fajtor, por ai u arratis nga SHBA-ja në prag të shpalljes së verdiktit për të jetuar në arrati për 32 vjet me radhë. Zonja Geimer aspironte të bëhej një modele më 1977 dhe shkoi në Hollivud për të shkrepur një set fotografik me Polanskin. Tani, një nënë e tre fëmijëve, ajo jeton e qetë në Havai dhe e ka falur regjisorin publikisht më 1997. Prokurorët i kërkuan një gjykate të apelit në Kaliforni të mohojë kërkesën e viktimës për tu mbyllur rasti kundër regjisorit. Në dokumentet e gjykatës, thuhej se Samantha Geimer, "nuk ka të drejtë apo autoritet për të diktuar rezultatet e një rasti penal". Geimer ka kërkuar kohë për ti dhënë fund rastit të tejzgjatur ligjor, duke argumentuar se ajo është bërë një viktimë e betejës për të sjellë regjisorin përpara drejtësisë. "Samantha Geimer ishte viktima e Polanskit. Çfarëdo dëmi që i është bërë asaj para 33 vjetësh nga Polanski tani mbetet vetëm një kujtim”, - shkruan avokati i saj në letrat e gjykatës.

Ky lajm është publikuar: 26/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›