E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident i rëndë, vdes 31 vjeçari

Autobusi i linjes se Athines u perplas me nje autoveture. Vdiq shoferi i autovetures dhe u plagos pasagjeri

KORÇË - Përgjaket superstrada Korçë-Kapshticë. Një 31 vjeçar gjeti vdekjen brenda disa minutash, pasi përplasjes së makinës me të cilën ai udhëtonte me një autobus pasagjerësh që kishte si denstinacion Greqinë.  Ngjarja e rëndë traumatizoi gjithashtu dhe 30 udhëtarë të linjës “Helos Travel” që kanë përjetuar minutat e ankthit gjatë një aksidenti automobilistik me një të vdekur dhe një të plagosur në gjendje të rëndë, ndërsa u bllokua për disa orë qarkullimi i mjeteve në aksin që lidh Shqipërinë me Greqinë si rezultat i këtij aksidenti. Përplasja e një fuoristrade me një autobus me udhëtarë të linjës Tiranë-Athinë shkaktoi një të vdekur dhe një të plagosur në gjendje të rëndë. Aksidenti i rëndë automobilistik u regjistrua në superstradën Korçë-Kapshticë, në afërsi të fshatit Plasë. Mendohet që shpejtësia e madhe e mjetit tej normave të lejuara të kenë çuar drejtuesin e tij në mënyrë të pavullnetshme drejt humbjes së kontrollit e më pas ka sjellë dhe daljen në kah të kundërt të fuoristradës, e cila u përplas me autobusit me targa të kryeqytetit. Aksidenti tragjik u regjistrua rreth orës 15.30 së të dielës në segmentin nacional Korçë-Kapshticë. Autobusi i linjës Shqipëri-Greqi ishte nisur nga Tirana drejt kryeqytetit grek, ndërsa u përplas nga një fuoristradë e bardhë, e cila humbi kontrollin. Ndërsa paniku ka përfshirë udhëtarët të cilët nuk kanë pësuar lëndime, fuoristrada me targë po të kryeqytet që vinte në drejtim të kundërt, gati është shkatërruar e gjitha. Drejtuesi i kësaj fuoristrade me tragë TR 0823 H shtetasi Gazmir Grazhdani banor i Tiranës, ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa është plagosur dhe udhëtari tjetër i tij shtetasi i identifikuar si Albert Daci. Viktima 31 vjeçar ka pësuar dëmtime të jashtëzakonshme në trup duke mbetur i vdekur në vend, ndërsa shoku i tij është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. Tragjedia në rrugë, në një nga segmentet më të qarkulluara të rajonit të Korçës ka krijuar për më shumë se dy orë probleme serioze të qarkullimit rrugor. Mbi 200 makina në të dyja anët e rrugës janë vënë në radhë, në pritje të vazhdimit të qarkullimit të tyre të ndërprerë në mes nga policia rrugore. I. Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›