Obama shqiptar
• Skënder MinxhoziNjë revolucion sipas të gjitha gjasave historik, po ndodh së fundi në jetën politike të fqinjit tonë perëndimor, Italisë. Kryetari i bashkisë së Romës, Valter Veltroni, prej pak javësh kryetar i Partisë Demokratike të sapoformuar mbi “hirin” e dy formacioneve më të mëdha të së majtës, Demokratëve të majtë dhe Margeritës, ka vendosur të dalë i vetëm në zgjedhje. Pra, duke mos bërë aleancë me partitë e të majtës radikale dhe disa formacione të tjera të vogla në qendër. Jo më një program qeveritar prej 280 faqesh, si ai i Prodit para dy vjetësh, jo më një koalicion prej mbi 15 subjektesh politike, por një parti e vetme, pa asnjë aleat parazgjedhor. Kjo lëvizje ka vënë paradoksalisht në vështirësi të djathtën, e cila me rënien e Prodit, e shihte të hapur rrugën për t’u rikthyer në pushtet. Kjo fabul politike, tejet interesante dhe me një ecuri mjaft të paparashikueshme, po intrigon prej ditësh publikun italian, të etur për të parë një ndryshim esencial, si ky i Veltronit, në skenën politike kombëtare.Gjithë çfarë u tha më sipër ka një sharm dhe potencialisht një vlerë politike që i tejkalon kufijtë e Italisë. Mjafton të shihet sesi po e luan kartën e ndryshimit në SHBA, Barak Obama, duke vënë në vështirësi edhe një çift dinozaurësh politikë, siç janë Klintonët, për të kuptuar rëndësinë që ka thyerja e skemave të vjetra dhe kërkimi i të resë në jetën publike.Ky skenar nuk është i prerë vetëm për shoqëritë amerikane e italiane. Sado që në pamje të parë mund të duket si një operacion mekanik e i qepur me pe të bardhë, ajo çka po ndodh në dy fushatat elektorale amerikane e italiane është një proces globalisht i vlefshëm dhe i “transportueshëm”, kudo ku në bazë të vlerave të qeverisjes qëndron vota e lirë dhe përfaqësimi i padiskriminuar i të zgjedhurve në institucione.Nëse gjithçka e spostojmë me pak fantazi dhe mund në jetën politike shqiptare, e cila po përgatitet ngadalë që të hyjë në stinën e saj elektorale, do të gjejmë të njëjtën nevojë për një Obama dhe një Veltroni të ri në vitrinat tona politike. Në 17 vjet politika jonë nuk e ka pasur në asnjë rast guximin që të eksperimentojë as thyerjen që bëri së fundi Valter Veltroni në Itali, as uraganin të cilit i dha jetë Obama në SHBA. Nëse është e kuptueshme që vogëlsia, meskiniteti dhe provincializmi i Shqipërisë e bëjnë shumëfish më të vështirë shfaqjen e një “mesie” të tillë politik ndër ne, është gjithaq e vërtetë se ka ardhur dhe ka kaluar tashmë koha që klasa jonë politike të ribëhet nga e para. Megjithëse në dimensionet e qeverisjeve të tyre dhjetrafish më të mëdha, Bush dhe Berluskoni apo Prodi kanë bërë shumë e shumë gabime, sjellja e tyre nuk është askund të krahasueshme për nga morali dhe kodi themelor që i ka vënë në lëvizje, me harbutëritë dhe palaçollëqet qeverisëse që ka parë me sy ky vend i drobitur nga urrejtja dhe provincializmi politik. Kalvari Nano-Berisha, më i lodhshmi dhe më absurdi i Lindjes ish-komuniste, ka lënë pas në 17 vjet një kulturë politike që duhet përmbysur, që duhet zhbërë sa më parë.Politika shqiptare ka nevojë të nisë, për herë të parë qëkurse është konfiguruar në mënyrën që e njohim sot, një cikël të shumëpritur rinovimi dhe ndryshimi. Duhen jo vetëm fytyra të reja, kjo do ishte minimizuese dhe sipërfaqësore. Problemi madhor është se së bashku me emrat e rinj, duhen sjellë në jetën politike teza, ide dhe projekte të reja. Sepse e shkuara na tregon se në drejtim të ndërrimit të disa emrave me disa të tjerë, mund të bëhen disa lëvizje improvizuese, të cilat megjithatë nuk zgjidhin thelbin e problemit – një ritëm të ri, një mentalitet të ndryshëm dhe një vullnet të fortë për të kthyer faqen e tranzicionit. Aventura e dështuar e KOP-it apo filtrimet e kohëpaskohshme të anonimëve të rinj në baza klanore, në gjirin e dy partive të mëdha, nuk kanë sjellë deri më sot freskinë dhe mentalitetin e shumëpritur të një ere të re. Më shumë se për një specie të re politike, në këtë rast mund të flasim për një evolucion brenda species së vjetër, çka shërben si një makijazh, më shumë sesa si një ndryshim rrënjësor, si një valium, më shumë sesa si një bisturi kirurgu. Kthehemi dhe rikthehemi në kutitë e votimit, në forumet partiake dhe në proceset zgjedhore të niveleve më të ulëta, me mendimin fatalist se fytyrat dhe emrat që jemi të dënuar të zgjedhim, janë të palëvizshëm, të pandryshueshëm. 18 vjet janë një periudhë e mjaftueshme për të kuptuar se cili ka punuar dhe cili ka mashtruar, cili ka qenë i zoti dhe cili ka qëndruar në podium për shkak të miqve, klanit të tij apo parave të paguara majtas-djathtas. Sot kemi mundësinë të shohim më qartë se cilët janë ata që e meritojnë një shans të ri dhe cilët duhet të hiqen mënjanë. Humbësit kanë pasur të gjithë kohën për të humbur, fitimtarët kanë të gjithë të drejtën për t’u ngjitur në skenë. Vetëm në këtë mënyrë, edhe do të kemi Obamat dhe Veltronët shqiptarë, që tani i shohim përtej xhamit të televizionit.