Kontratat me ISKSH, gjobë deri 50 mijë lekë për shkelësit
• Penalitet për qendrat shëndetësore dhe mjekët që shkelin kontrata me ISKSH-në. Këtë përcakton projektligji për “Fondin e sigurimeve shëndetësore dhe financimin e shërbimeve shëndetësore nëpërmjet sigurimeve shëndetësore”. Penalitetet parashikohen në kontratat e veçanta dhe variojnë nga 50 mijë lekë deri në 20% të vlerës së rimbursimit mujor”. Në raste të shkeljeve serioze, të përsëritura të kontratës nga dhënësit e shërbimeve shëndetësore, fondi mund ta zgjidhë kontratën. Në raste të tilla dhënësit të shërbimit nuk i humb e drejta për të aplikuar sërish te fondi për lidhjen e një kontrate të re pas një periudhe 1-vjeçare”, thuhet në projektvendim. Sakaq refuzimi i ushtrimit të kontrollit nga fondi dhe kërkimi i rimbursimeve për shërbime në bazë të kërkesave false nga të siguruarit, kur nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen si kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në masën 5 mijë lekë. Projektligji parashikon gjithashtu edhe mënyrën e aplikimeve kundër vendimeve. Personat e siguruar, siguruesit e detyruar dhe dhënësit e shërbimit shëndetësor, kanë të drejtën e ankimit në drejtori kundër vendimeve të degëve të fondit. Personat e siguruar, siguruesit e detyruar dhe dhënësit e shërbimit shëndetësor, kanë të drejtën e ankimit në gjykatën kompetente kundër vendimeve të drejtorisë.