E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama sot bën betimin

Uashington - Në SHBA-ës, Shtëpia e Bardhë bën përgatitjet për të pritur presidentin e 44-ët të vendit, Barak Obama. Obama detyrën e re do ta marrë me ceremoninë e betimit që do të organizohet sot ne Uashington. Përpara ndërtesës së Kongresit ku do të bëhet ceremonia e betimit është ndërtuar një platformë e madhe dhe rrugët janë zbukuruar me flamurë gjigandë.

Janë marrë të gjitha masat për qytetarët amerikanë dhe të huajt që kanë dëshirë të jenë të pranishëm në këtë inaugurim. Me mijëra efektiva të forcave të sigurisë do të jenë në shërbim dhe sheshi ku do të bëhet betimi do të ruhet nga toka dhe ajri.

Në Uashington pritet që të vijnë rreth 2 milionë njerëz për të marrë pjesë në ceremoni, kështu që shumë rrugë do të jenë të mbyllura për trafikun e makinave. Para ceremonisë së betimit Obama mori pjesë në ceremonitë e përkujtimit të Martin Lutherit, mbrojtësit të të drejtave të njerëzve me ngjyrë si dhe u bëri vizita ushtarëve të plagosur në spital.

Mësohet se Xhorxh Bush ka mbledhur plaçkat në Shtëpinë e Bardhë dhe po përgatitet të kthehet në fermën e tij në Teksas. Ndërkaq në ditën e fundit të qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë kundër Bushit është organizuar një manifestim protestues me këpucë.

Kundërshtarë të luftës u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë dhe hodhën këpucë në oborrin e ndërtesës. Protestuesit thanë se solidarizohen me gazetarin irakian Muntasar Ezejdi që u bë i njohur duke qëlluar Bushin me këpucë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›