E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ftesë opozitës

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha ka ftuar sot opozitën të kontribuojë për realizimin e një procesi zgjedhor transparent. Gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar të PD-së dhe me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar, Berisha u ndal në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit.

"I bëj thirrje opozitës të ulemi së bashku për të ndërtuar një komision zgjedhor me kredibilitetin më të lartë, sikundër e ftoj atë të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm realizimin e një procesi dinjitoz zgjedhor", deklaroi Kryeministri Berisha para deputetëve demokratë.

Duke folur rreth kërkesës së opozitës për shpërndarjen e kartave të identitetit, Berisha theksoi se do të merrte parasysh çdo lloj propozimi nga opozita.

"Për këtë do të autorizoj dhe do të vendos kontakte të menjëhershme me Ministrinë e Brendshme. Çfarëdo lloj propozimi, që opozita e gjykon dhe i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit, ne jemi të hapur dhe duam që çdo forcë politike të gjejë veten në këtë proces"-theksoi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar demokrat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›