Obama takim me Zapateron për Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama do të takohet me kryeministrin spanjoll Hoze Luis Zapatero, ku një nga temat e bisedimeve do të jetë edhe Kosova. Kryeministri i Spanjës Zapatero, vendimi i të cilit për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova shqetësoi Uashingtonin, do të takohet me presidentin amerikan, Barak Obama, më 5 prill. Zapatero, i cili asnjëherë nuk ka pasur takim formal me presidentin e mëparshëm amerikan, Xhorxh Bush, do të takohet me presidentin Obama në kuadër të samitit SHBA-BE, në Pragë. "Kuptohet, që po e pres me interesim të jashtëzakonshëm takimin me presidentin Obama, i cili përfaqëson shpresën e madhe për çdo njeri", tha Zapatero, nga Kili, gjatë samitit të liderëve të qendrës së majtë. Marrëdhëniet ndërmjet qeverisë socialiste të Zapateros dhe administratës republikane të presidentit Bush ishin jo shumë të ngushta pas vendimit të Madridit për të tërhequr trupat nga Iraku dhe për t'u afruar me Kubën. Së fundmi, qeveria spanjolle e befasoi administratën demokratike të presidentit Obama, kur më 19 mars shpalli se do të tërheqë 630 trupat e saj nga Kosova, të cilët shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Migel Angel Moratinos, tha javën e kaluar se ka biseduar me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, për t'i shpjeguar vendimin e Madridit. Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.