E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama,refuzon planin e shpëtimit për makinat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka refuzuar zyrtarisht planin e shpëtimit për kolosët automobilistikë General Motors dhe Chrysler, por duke iu lënë kohë atyre për propozime të reja. "Sindikalistët dhe punëtorët duhet të bëjnë sakrifica të reja. Shtetet e Bashkuara nuk duhet, dhe nuk do të lejojnë që sektori i makinave në Amerikë, thjesht të zhduket", është shprehur Obama. Por situata mes General Motors dhe Chrysler është e ndryshme. "Chrysler ka nevojë për një partner që të mbijetojë", ka thënë Obama duke shpjeguar se dhe kompanisë do t'i jepen edhe 30 ditë për të finalizuar një marrëveshje me Fiatin. "Nëse do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje solide që mbron konsumatorët amerikanë, do t'iu japim gjashtë miliardë dollarë ndihma. Dhe nëse nuk do të arrihet marrëveshje, në mungesë të një partnershipi tjetër, nuk do të jemi në gjendje të justifikojmë investimet e mëtejshme për të mbajtur Chrysler në aktivitet", ka deklaruar Obama. Ai shtoi se Fiati do të sjellë teknologji të reja për të kontribuar në zhvillimin e makinave të reja me konsum më të vogël. "General Motors dhe Chrysler kanë nevojë për një fillim të ri. Dhe kjo mund të thotë se përpjekja për shpëtimin nga falimentimi do të jetë një mekanizëm për të siguruar një ristrukturim më të fortë", ka theksuar Obama. Ai nënvizoi se qeveria e SHBA-së nuk ka ndërmend dhe as nuk i inereson që të menaxhojë General Motorsin, por i intereson që t'i japë asaj një mundësi që të bëjë ndryshimet e nevojshme, që i lejojnë kompanisë të dalë nga kriza më e forte dhe më konkuruese.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›