Obama takon Dalai Lamën Dialog me Kinën për Tibetin
Një takim me dyer të mbyllura, që nuk ka zgjatur më shumë se një orë, por ku është përqendruar vëmendja e së gjithë botës, ishte ai mes Dalai Lamës dhe Barak Omanës në Uashington, që para se të mbahej, rrezikoi të rëndonte më tej krizën në marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës. Pavarësisht polemikave dhe kundërshtive të Pekinit, takimi mes dy fituesve të çmimeve “Nobel” për paqen është zhvilluar. Për të shmangur problemet e tjera me Kinën së cilës Uashingtoni i kërkon mbështetjen për sanksionet e reja kundër Iranit, Presidenti amerikan ka vendosur të mos e presë liderin shpirtëror tibetian në studion ovale, ku zakonisht Obama pret krerët e shteteve dhe të qeverisë, duke nënvizuar se Dalai Lama do të vizitojë Uashingtonin si lider religjioz dhe jo politik. Takimi nuk ishte i hapur për shtypin dhe u zhvillua në një zyrë private të Shtëpisë së Bardhë, më konkretisht në “Mapp Room”. “Nuk folëm për politikën, por për paqen dhe vlerat njerëzore. Presidenti Obama tregoi mbështetjen për mbrojtjen e të drejtave të tibetiabëve në Kinë”, tha Dalai Lama për gazetarët. Nga ana e tij, Presidenti shtoi se ka inkurajuar Kinën dhe eksponentët tibetianë “të angazhohen në një dialog direkt për të zgjidhur diferencat”. Lideri shpirtëror tibetian, nga viti 1991 ka takuar të gjithë presidentët amerikanë. Xhorxh Bush e ka takuar shumë herë Dalai Lamën, por më i rëndësishmi nga pikëpamja simbolike ishte ai në fund të mandatit, kur në vitin 2007, për herë të parë, takoi Dalai Lamën duke i dorëzuar publikisht nën syrin e fotografëve, medaljen e Kongresit në një ceremoni të vërtetë. Sipas të dërguarit special të Dalai Lamës në SHBA, gjatë bisedës, lideri shpirtëror i kërkoi ndihmë Obamës për të gjetur një zgjidhje për çështjen tibetiane që të jetë e përshtatshme si për popullin Tibetit edhe për atë kinez. Dalai Lama do të takohet edhe me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton. Në takimin me Dalain Lamën, i cili mbështet autonominë e vërtetë të Tibetit, Obama nuk ka dashur të heqë dorë pavarësisht se pas revoltës së dhunshme të vitit 2008, Pekini ka rritur presionet mbi qeveritë perëndimore, me qëllim që të mos e takonin kreun shpirtëror të tibetianëve. Por jo vetëm kaq: mes SHBA dhe Kinës në kohët e fundit, ka pasur motive të vazhdueshme acarimi. Përveç divergjencave mbi çështjen iraniane është edhe ajo e Tajvanit. Kina ka reaguar shumë ashpër ndaj vendimit të Uashingtonit për t’i shitur Tajvanit për një vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh armatime të ndryshme. Nga njëra anë, SHBA e njohin republikën popullore si një të vetme, nga tjetra mbajnë marrëdhënie të ngushta ekonomike me Tajvanin dhe janë të detyruara të ndërhyjnë në mbrojtje të ishullit në rast të sulmit kinez. Po ashtu në janar, motori gjigant i kërkimit “Google” denoncoi se ishte viktimë e sulmeve të piraterisë, që kanë dhunuar sferën private të disa prej klientëve të tij, të gjithë disidentë kinezë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut. Uashingtoni ka kërkuar menjëherë shpjegime nga Pekini. Pastaj është edhe çështja e të drejtave njerëzore.
#