E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e fundit e plakut Giap, tani gjenerali lufton për ambientin

Heroi i Vietnamit, 99 vjeç, sfidon Kinën: Jo minierave të boksit

Në historinë e luftërave të shekullit të fundit nuk ka asnjë gjeneral më të famshëm se Vo Nguyen Giap. I frymëzuar nga strategjitë luftarake të Napolonit dhe dijetarit të lashtë kinez Sun Tsu, gjenerali legjendar Giap, sipas Ho Chi Minh, revolucionarit komunist vietnamez, mundi fillimisht trupat franceze në vitin 1954, pastaj ushtrinë e fuqishme amerikane në 1975-n. Por, në prag të 99-vjetorit të lindjes, tashmë i rraskapitur dhe shumë i sëmurë, Giap është gati të humbasë edhe betejën e tij të fundit, të shpallur kundër politikës mjedisore të trashëgimtarëve të tij të partisë dhe qeverisë, të cilët janë akuzuar se po vënë përpara maleve dhe lumenjve, interesat ekonomike dhe politikat e aleancës me Kinën. Një vit nga akuzat e tij të bujshme kundër shfrytëzimit kino-vietnamez të minierave të boksit, prej të cilave nxirrej alumini, vazhdojnë ende të dërgohen në port një pjesë e mirë e projekteve të kundërshtuara nga ish-gjenerali, të cilat janë të destinuara të ndryshojnë përgjithmonë pamjen e bukur të maleve qendrore dhe veriore.

Këto ditë, zëvendëskryeministri i Republikës Popullore, Hoang Trung Hai, dha dritën e gjelbër për negociatat me shoqëritë e huaja (ose më saktë kineze) për të krijuar një sërë sipërmarrjesh të përbashkëta, që do të drejtojnë formalisht kantieret e minierave në provincën veriore të Cao Bang, një ujëvarë e bukur malesh dhe kodrash të kultivuara pikërisht në tarracat në kufirin me Kinën. Cao Bang nuk është vetëm një parajsë turistike me rezerva të mëdha, por edhe një pjesë e kujtesës historike të vendit, teatri i disa prej fitoreve më të zëshme të gjeneralit të ri Giap kundër francezëve, streha e parë dhe shtabi i përgjithshëm i Ho Chi Minh në prag të revolucionit të vitit 1945 kundër japonezëve.

As burrat e shtetit në krye të Republikës Popullore Komuniste dhe as shokët e tyre të RPC-së së Pekinit (së fundmi janë mbyllur 100 miniera boksi në territorin e tij nga frika e pasojave të rënda mjedisore) nuk janë ndikuar nga “thirrjet romantike” të ish- gjeneralit Giap dhe ekologjistëve të famshëm, mes tyre edhe nobelisti vietnamez Nguyen Huu Ninh. Përveç kësaj, Giap bëri edhe një apel në vitin 2009 përmes radios. “Mendimi im personal është se nuk duhet t’i shfrytëzojmë minierat e boksit”, tha ish-gjenerali, i cili shumë herë ka qenë edhe ministër. “Kjo gjë do të ketë pasoja të rënda për mjedisin, shoqërinë dhe mbrojtjen kombëtare”.

Pavarësisht jehonës së madhe që bëri ndërhyrja e tij publike, që prej kohës kur la çdo detyrë shtetërore në vitin 1992, qeveria firmosi një kontratë me gjigandin kinez të aluminit “Chinalco”, që lejon hapjen e centralit me kapacitet të plotë deri në 2012-n. Madje jo vetëm kaq. Kryeministri Nguyen Tan Dung e ka bërë publik vendimin për të lejuar minierat e boksit (Vietnami është prodhuesi i tretë në botë). Mesa duket kjo është një nga politikat kryesore ekonomike të partisë dhe qeverisë. Po ashtu gjatë këtyre ditëve, urdhri i partisë “arriti” deri në vargmalet e larta qendrore, të njëjtët për të cilët kish luftuar aq fort ish-gjenerali Giap. Presidenti i Komitetit Popullor të Dak Nong ka thënë se boksi është fuqia më e madhe ekonomike për provincën.

Por sa keq që ujërat e lumenjve të rëndësishëm si Ba dhe Serepok janë të destinuar të mbledhin mbetjet kimike dhe toksike që vijnë nga puna. Kjo zonë banohet nga numri më i lartë i etnive indigjene jo vietnameze, të cilat tradicionalisht kanë mbetur pas zhvillimit, i cili ka përfshirë Vietnamin, një nga ekonomitë më të forta të Azisë, me një rritje ekonomike vjetore prej 5,3 përqindësh.

Në garën globale aziatike shpresohet ende për një fushatë sensibilizuese mjedisore dhe humanitare social-kapitaliste vietnameze, të frymëzuar në modelin kinez dhe të ndikuar fuqimisht nga Pekini. Duke mos qenë dakord me vendimin e qeverisë, njerëzit janë të detyruar të heshtin nga frika e censurave dhe arrestimeve. Vetëm Giap mund të përdorë autoritetin e tij për të bërë diçka të vlefshme në kongresin e ardhshëm të partisë, i cili përkon me ditëlindjen e tij të njëqindtë, në gusht të vitit 2011. Ashtu si trupi i tij, edhe pyjet do të kenë shumë shpejt të njëjtin fund dhe asnjë nga strategjitë që e bënë të famshëm heroin e Dien Bien Phu nuk do të mund ta shpëtojnë ushtarin e vjetër dhe tokën e tij nga flakët i historisë moderne.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›