Obama:Mbështetje për Lindjen e Mesme

Presidenti i ri në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka premtuar se do të bashkëpunojë në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, gjatë një bisede telefonike me Presidentin e autoritetit palestinez Mahmud Abas. Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë Obama i ka telefonuar Presidentit Mahmud Abas, duke nënvizuar synimin për të bashkëpunuar me këtë të fundit për të instaluar një paqe të qëndrueshme në rajon. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënsësi i liderit palestinez Nabil Abu Rudeina. Sipas disa burimeve të ndryshme, Presidenti amerikan Obama ka dashur të precizojë se telefonata e bërë ndaj Mahmud Abasit, ka qënë e para që i është bërë një lideri ndërkombëtar, që pas marrjes zyrtarisht të postit më të lartë drejtues në Shtetet e Bashkuara, ditën e martë. Ndërkohë që Obama, pas Presidentit palestinez Abas, i ka telefonuar edhe disa liderëve të tjerë të Lindjes së Mesme, si kryeministrit izraelit Ehud Olmert, Presidentit egjiptian Hosni Mubarak dhe sovranit të Jordanisë Abdullah II. Konflikti më i fundit në Lindjen e Mesme, ai i Rripit të Gazës, ka shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e mijëra palestinezëve. Ndërkohë që pas armëpushimit të arritur fundjavën e kaluar, po shtohen përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në rajon.